Aleanca për Shqiptarët (Sela) ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit Dragan Kovaçki, duke i bërë me dije se shqiptarët nuk janë të gjithë si Vleni dhe as nuk janë jetim, informon POPULLI.mk
Në një përgjigje publike, partia theksoi se deputeti Kovaçki duhet të kuptojë se Armata dhe shteti nuk janë “maqedonase” dhe nuk i përkasin një partie të caktuar, por janë të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.
“Zoti Kovaçki, nuk ka nevojë për nervozë, ne flasim me fakte dhe ju duhet tu përgjigjeni fakteve. Për çfarë shteti po flisni, kur i njëjti person i është refuzuar certifikata e sigurisë dhe tani iu jepet, edhe pse kjo është e ndaluar?” – thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët.
Në reagimin e saj, partia theksoi se nuk është “pjesë e mbetur” dhe as uzurpatorë, por përkundrazi, ka qenë dhe vazhdon të jetë përfaqësues legjitim dhe mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve në këtë vend. Aleanca për Shqiptarët (Sela) kërkon që planet dhe dëshirat për të shkatërruar këtë forcë politike të heqën dorë, pasi ato kanë dështuar.
Gjithashtu, Aleanca kërkoi që të ndalet ofendimi dhe baltosja e kuadrove profesioniste në Armatë, duke akuzuar qeverinë se ka degraduar dhe denigruar profesionistët, vetëm sepse ata janë shqiptarë dhe nuk janë të nënshtruar ndaj pushtetit.
Në fund, partia nënvizoi se Ziadin Sela është bërë “therrë në sy” të qarqeve nacionaliste maqedonase për shkak të qëndrimeve të tij të paanshme dhe të paedukueshme, dhe se Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të jetë zëri i çdo ushtari, eprori dhe qytetari që i cënohet e drejta nga pushteti. / © POPULLI.mk