I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se është koha që marrëveshja mes palëve të zbatohet, derisa ka bërë të ditur se është marrë me përgatitjet për takimin e 24 tetorit në Bruksel.
Ai ka shkruar në Facebook të dielën se takimin e fundit me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, kanë diskutuar thellë mbi çështjen si dhe për hapat e nevojshëm për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
“Ditët e fundit kanë qenë më tepër përgatitje, derisa po përgatitemi për takimin e radhës të kryenegociatorëve më 24 tetor në Bruksel. Pata një vizitë produktive në Vjenë, duke u angazhuar në një diskutim të thellë me zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës, Besnik Bislimi, mbi hapat e nevojshëm për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit. Është koha për të filluar seriozisht zbatimin”, ka thënë Lajçak.
I dërguari i BE-së ka thënë se ky institucion është i përgatitur për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor “por suksesi varet po aq nga angazhimi i Ballkanit Perëndimor për t’i trajtuar reformat e nevojshme”.
Burimi / Koha.net