Kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku, ka bërë thirrje për një debat publik me kryeministrin aktual, Albin Kurti, ku synon të diskutojë idetë dhe planet për të ardhmen e Kosovës.
“E ftoj kryeministrin në ballafaqim publik, le t’i masim idetë për të ardhmen. Nuk e kam ndërmend të merrem me sharje apo përçarje, kemi obligim qytetar të prezantojmë propozime konkrete,” tha Abdixhiku para mediave.
Abdixhiku theksoi se fushata e tij do të fokusohet në ide dhe zgjidhje për të mirën e vendit, duke shmangur retorikat negative. “Nuk jemi për t’u zhytur në moçalin e pështymave. Qytetarët meritojnë të dinë çfarë ofrojmë për katër vitet e ardhshme,” shtoi ai.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti ka vijuar me kritika ndaj opozitës, duke e ilustruar LDK-në si një “mizë” që pandeh se po merr duartrokitje nga populli. “Kur ata thonë që populli po i do, është si ajo miza që mendon se njerëzit po e presin me duartrokitje,” deklaroi Kurti në një tubim në Pejë.
Fushata zgjedhore në Kosovë ka marrë një drejtim të ashpër, ndërsa Abdixhiku kërkon një qasje konstruktive dhe një debat të hapur për të ardhmen e Republikës.
Burimi /Reporteri.net/