Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, kërkoi nga KRRE dhe EVN-Home, të merren me kompanitë që ilegalisht kaluan nga tregu i lirë në atë të rregulluar të energjisë elektrike. Bëhet fjalë për qindra kompani që e kanë shmangur ligjin dhe kanë blerë energjinë elektrike me çmim më të lirë, duke paguar kështu TVSH më të ulët. Ende askush nuk e ka zbuluar listën e kompanive dhe jozyrtarisht mes këtyre subjekteve ka pasur edhe komuna.
“Ka dikush që do të zbulojë listën e atyre që kaluan gabimisht nga një treg i hapur në një treg të rregulluar të energjisë elektrike dhe gjithçka do të ndodhë në kohën e duhur. U kemi bërë thirrje të gjitha organeve kompetente që të veprojnë ashtu siç duhet sipas ligjit. Nëse dikush ka bërë diçka që nuk është e ligjshme, ju e dini se ku është përgjigja. Fatkeqësisht, shpesh kërkohen përgjigje nga unë personalisht dhe nga pushteti ekzekutiv, por duhet të kuptojmë njëherë e mirë se pushteti ekzekutiv është i ndarë me pushtetet e tjera dhe secili duhet të bëjë atë që e ka obligim dhe kompetencë me ligj”, u shpreh Fatmir Bytyqi – Zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike.
Tani për tani nuk ka zgjidhje për rastin dhe jozyrtarisht këto kompani janë ende në tregun e rregulluar, në vend të tregut të lirë. Sipas kreut të EMV-së, Vasko Kovaçevski, këto kompani në tregun e rregulluar paraqesin barrë për sistemin, por edhe për çmimin për amvisëritë.
Sipas informacioneve në media, mbi dy mijë kompani, përmes themelimit të kompanive vartëse, kanë shfrytëzuar matësit e tyre dhe në këtë mënyrë janë furnizuar me energji elektrike më të lirë. Këtu bëjnë pjesë kompani industriale, tregje zinxhirore, farmaci, kazino, kompani sigurimesh, si dhe komuna.
Rasti është duke u shqyrtuar nga Policia Financiare, nga ku kanë thënë se të gjitha informacionet e grumbulluara do t’i dorëzojnë në Prokurori.