Maqedonia e Veriut po hyn në një periudhë vendimtare sa i përket përfitimit të mjeteve nga Bashkimi Evropian, ndërsa të dhënat tregojnë qartë se mungesa e reformave po e lë vendin pa qasje në dhjetëra miliona euro të planifikuara. Edhe pse tabela e Instrumentit për Reformën dhe Rritjen paraqet nivele të larta potenciale financimi për vitet 2025 dhe 2026, të njëjtat me po aq potencialitet rrezikohen të humben. Deri më tani, Maqedonia e Veriut ka përfituar vetëm një pjesë të vogël të fondeve të parashikuara. Bëhet fjalë për rreth 52 milionë euro parafinancim, si mbështetje fillestare, dhe një këst shtesë prej vetëm 8 milionë eurosh të lëshuar në shtator 2025 për reformat e realizuara gjatë vitit 2024. Për të gjitha fazat e tjera të lidhura me reformat konkrete, nuk ka fonde të reja. Kjo do të thotë se pjesa dërrmuese e mjeteve mbetet e bllokuar dhe e kushtëzuar nga përmbushja e obligimeve që deri tani nuk janë realizuar, raporton Portalb.mk.
Sipas vendimit të Komisioni Evropian për lëshimin e parë të mjeteve, vendi përfitoi në total rreth 8 milionë euro, të ndara në disa komponentë, një pjesë si grant, një pjesë si hua dhe një pjesë për mbështetje direkte buxhetore. Një pjesë tjetër e mjeteve, rreth 3.6 milionë euro, u përdor për shlyerjen e parafinancimit të marrë më herët.
Kjo diferencë e madhe mes 70.65 milionë eurove të parapara dhe vetëm rreth 8 milionë eurove të realizuara tregon qartë se mekanizmi funksionon në mënyrë strikte, fondet nuk jepen sipas planit nëse nuk përmbushen reformat.
Në total, për vitin 2024, vendi kishte në dispozicion rreth 17.1 milionë euro, por për shkak të realizimit të pjesshëm të reformave, vetëm rreth 40 përqind e hapave, pjesa më e madhe e këtyre mjeteve mbeti e bllokuar. Komisioni Evropian konfirmoi se vetëm dy hapa ishin realizuar plotësisht, ndërsa për pjesën tjetër është dhënë një periudhë shtesë deri në dhjetor 2026.
“Kjo paraqet 40 për qind të realizimit të hapave, gjegjësisht 50 përqind në raport me mjetet. Për hapat e mbetur, Komisioni konstatoi se nuk janë realizuar plotësisht dhe për to është paraparë periudhë shtesë (grace period) deri në 24 muaj, përkatësisht deri në muajin dhjetor të vitit 2026. Kjo do të thotë se shteti ka kohë shtesë për realizimin e tyre dhe për lirimin e mjeteve të mbetura nga mjetet e përgjithshme të alokuara, të cilat arrijnë një shumë prej rreth 17,1 milionë euro”, thanë vitin e kaluar nga MÇE.
Kurba e fondeve në grafikun e mëposhtëm në pjesën e poshtme djathtas, nuk duhet lexuar si para të lëshuara, por si projeksion i mjeteve që do të lëshoheshin vetëm nëse përmbushen reformat. Në këtë kontekst, shifrat prej mbi 134.87 milionë euro për gjysmën e dytë të vitit 2025 dhe 133.8 milionë eruro në gjysmën e parë të vitit 2026 përfaqësojnë një potencial të paarritur (me shumë rrezik deri në qershor), jo para reale në buxhetin e shtetit. Në fakt, hendeku mes kësaj kurbe dhe realitetit financiar tregon për një problem thelbësor se reformat nuk janë realizuar fare në kohë.
Sipas këtij plani, Maqedonia e Veriut kishte(ka) mundësi të përfitojë:
- 134.87 milionë euro për gjysmën e dytë të vitit 2025
- 133.8 milionë euro në gjysmën e parë të vitit 2026
Mirëpo, duke parë situatën në periudhën e kaluar dhe hapat e bëra deri tani, është pothuajse e pamundur të merren këto para, madje ekziston rreziku i humbjes së tyre.
Problemi bëhet edhe më i thellë kur kjo situatë lexohet në dritën e afateve të vendosura nga Komisioni Evropian. Mekanizmi i Planit për Rritje është i ndërtuar mbi një logjikë strikte, çdo hap reformues ka një afat të qartë dhe çdo vonesë e rrezikon drejtpërdrejt marrjen e mjeteve. Për një pjesë të reformave që duhej të përfundonin në vitin 2024, periudha shtesë përfundon më 30 qershor 2026. Kjo lë shumë pak kohë për institucionet që të ndryshojnë drejtimin aktual.
Ish- ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani, në qershor të vitit të kaluar tha se beson se fondet evropiane nuk janë nën kërcënim, por tha se ato potencialisht mund të jenë nëse reformat nuk përfundojnë me sukses brenda afatit shtesë njëvjeçar. Afat që tashmë ka arritur.
“Kjo do të thotë që në qershor 2026 ato do të jenë në rrezik sepse atëherë do t’i humbasim, ndërsa deri atëherë fondet do të jenë në dispozicion për ne”, tha Murtezani vitin e kaluar.
Në këtë sfond, paralajmërimet nga Brukseli janë bërë më të drejtpërdrejta. Komisionerja për zgjerim Marta Kos ka bërë të qartë se fondet janë të lidhura ngushtë me performancën dhe nuk do të qëndrojnë të hapura pafundësisht. Sipas burimeve të cituara nga Radio Evropa e Lirë, në nivel rajonal mbi 700 milionë euro janë në rrezik të humben përgjithmonë nëse reformat nuk përfundojnë brenda afateve.
Sipas burimeve të REL në Bruksel, humbjet e mundshme në rast se nuk ndërmerren të gjitha reformat sipas vendit janë si më poshtë:
- Shqipëria: 67.7 milionë euro
- Bosnja dhe Hercegovina: 373.9 milionë euro
- Mali i Zi: 15.1 milionë euro
- Kosova: 68.8 milionë euro
- Maqedonia e Veriut: 49.2 milionë euro
- Serbia: midis 108.7 dhe 135.9 milionë euro
Sipas informacioneve jozyrtare, Kos dërgoi një letër me një paralajmërim të tillë në të gjitha kryeqytetet e rajonit më 17 prill.
“Javën e kaluar, u shkrova autoriteteve në rajon për të përshpejtuar reformat ose qytetarët e tyre do të humbasin. Plani i Rritjes është rreptësishtë i bazuar në performancë dhe i kufizuar në kohë. Aktualisht, më shumë se 700 milionë euro janë në rrezik të humbasin përgjithmonë në rajon nëse reformat nuk përfundojnë deri në qershor 2026 ose dhjetor 2026”, i tha Kos Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET).
Pavarësisht situatës, në planin e brendshëm politik, mesazhet janë më optimiste. Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se reformat po japin rezultate dhe se disa procese janë përshpejtuar.
Kryeministri Hristijan Mickoski më 20 prill u takua me ambasadorët e Bashkimit Evropian në Qeveri, në të cilin diskutuan progresin dhe hapat e ardhshëm në zbatimin e Agjendës së reformave.
Pas takimit, Mickoski shkroi se “agjenda e reformave nuk është më vetëm një plan në letër, ajo jep rezultate konkrete dhe të matshme”.
“Në periudhën e kaluar, ne kemi përshpejtuar zbatimin në të gjitha fushat kryesore. Disa hapa janë zbatuar plotësisht, dhe të tjerë po përparojnë më shpejt se sa ishte planifikuar. Kjo pasqyron angazhim të fortë politik, koordinim të përmirësuar institucional dhe një fokus të qartë në rezultate”, shkroi Mickoski.
Këto reforma, theksoi Mickoski, nuk janë aktivitete të izoluara, por janë “pjesë e një transformimi më të gjerë dhe e sjellin ekonominë tonë më afër tregut të vetëm të BE-së”.
Por, nëse krahasohen këto deklarata me të dhënat reale të lëshimit të mjeteve dhe deklaratat e eurokomisioneres, ekziston një mospërputhje e madhe. Ritmi i ulët i përfitimit të fondeve të lë të kuptosh se progresi ose nuk është i mjaftueshëm, ose nuk po reflektohet në mënyrë konkrete në mekanizmin e BE-së. Kjo e fundit ka pak gjasa të jetë.
E derisa kryeministri vlerëson se reformat po japin rezultate, vendi ka bërë “0” hapa të kërkuara gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025 dhe gjysmën e parë të vitit 2026, gjë që është sinjal alarmi për institucionet dhe për vetë procesin eurointegrues. Sipas të dhënave, deri në dhjetor 2025, Maqedonia e Veriut kishte për detyrë të realizojë 29 reforma kyçe. Ndërkohë, për gjysmën e parë të vitit 2026, konkretisht deri në qershor, janë paraparë edhe 21 hapa të tjerë. Megjithatë, mungesa totale e progresit deri tani e vendos vendin në një pozitë jashtëzakonisht të vështirë, ku afatet po afrohen, ndërsa rezultatet mungojnë plotësisht
Nëse nuk ka ndryshim konkret në javët e ardhshme, Maqedonia e Veriut jo vetëm që do të vazhdojë të mbetet prapa në realizimin e reformave, por do të përballet edhe me pasoja të drejtpërdrejta financiare. Dhe në këtë rast, humbja nuk është abstrakte, ajo matet në miliona euro që nuk do të hyjnë kurrë në buxhetin e vendit.
Përndryshe, Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.
750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë është shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.
