Gazetari Marin Mema ka reaguar publikisht lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe nga studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke kërkuar që atyre t’u garantohet e drejta për të dhënë provimet në gjuhën amtare.
Përmes një reagimi, Mema thekson se kjo e drejtë nuk duhet të kufizohet vetëm në rastet aktuale që lidhen me jurisprudencën, por duhet të vlejë për çdo lëndë dhe çdo provim në institucionet e arsimit të lartë.
“Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut duhet të kenë të drejtë t’i japin provimet në gjuhën shqipe! Jo vetëm provimet në jurisprudencë, por çdo provim duhet të jetë në shqip”, shprehet ai.
Ai shton se çdo pengesë ndaj kësaj të drejte përbën cenim të të drejtave themelore të shqiptarëve në vend.
“Kush e pengon diçka të tillë, po pengon të drejtat e natyrshme të një populli në tokën e tij”, deklaron Mema.
Në të njëjtën kohë, ai i bën thirrje edhe shtetit shqiptar që të reagojë dhe të mbajë qëndrim zyrtar lidhur me këtë çështje, e cila ka ngjallur debat publik ditët e fundit.
