Edhe pse marketet janë të detyruara që çmimet e produkteve t’i publikojnë në faqet e tyre të internetit, qytetarët shpesh përballen me një realitet tjetër në terren. Sipas tyre, marketet nuk i përditësojnë rregullisht çmimet dhe ato nuk përputhen me çmimet në dyqane. Ata thonë se çmimi në ueb-faqe pothuajse gjithmonë është më i ulët krahasuar me çmimin në market.
“Ju ka ndodhur ndonjëherë të kontrolloni çmimin në internet, por ai të mos përputhet me çmimin në market? Ndodh, ndonjëherë pesë, tre, shtatë denarë”, tha një qytetar.
“Këto çmime që i publikojnë nuk janë të njëjtat. Në markete janë ndryshe nga ato që i vendosin në rrjetet sociale. Kur shkojmë për të blerë, paguajmë dyfish, nuk janë ato çmime”, u shpreh një qytetar.
“Para blerjeve më të mëdha, i kontrollojnë çmimet në faqet e internetit të distributorëve më të mëdhenj”, thotë qytetari.
“Nuk kontrolloj asgjë më”, theksoi një qytetar.
Nga Inspektorati Shtetëror i Tregut janë konstatuar parregullsi te tregtarët dhe janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 60.000 euro.
“Gjatë vitit 2025, në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, janë kryer gjithsej 4.340 inspektime dhe janë lëshuar 75 urdhërpagesa për kundërvajtje në vlerë totale prej 60 mijë eurosh”, deklaruan nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
- Janë kryer 4.340 kontrolle
- Janë shqiptuar 75 gjoba në vlerë prej 60.000 euro
Detyrimi për tregtarët që t’i publikojnë çmimet online është vendosur me qëllim që qytetarët të mund të kontrollojnë se ku është më i lirë një produkt dhe ta blejnë aty, në vend që të shëtisin nga një market në tjetrin./Alsat.mk.
