Maqedonia e Veriut është i njohur si vend i çudirave dhe trazirave, prandaj nuk është për çudi që edhe dukuritë më negative të shoqërisë shndërrohen në shpresë për shoqërinë. Bixhozi dhe fajdexhinjtë legal nuk është se janë shtuar sepse kanë ekzistuar edhe më herët, por tani klientët e tyre janë shumëfishuar. Duke pas parasysh krizën me të cilën po përballet vendi, ku gjitha çmimet janë ngritur në piedestal shumë qytetarë në mungesë të zgjidhjeve tjera, zgjedhin të aktivizohen në vendet më destruktive të shoqërisë. Bixhozi nuk shkatërron vetëm personin që ekspozohet në këto vende denigruese, por shkatërrimi është një zinxhir që hallkat tjera dëmtohen edhe më shumë, si familja e shoqëria. Prandaj, kazinot vazhdojnë të mbesin si vendet në të cilat ata që fitojnë humbasin më shumë, për faktin se pastaj vazhdojnë të frekuentojnë vendet e njëjta, ndërkaq ata që humbin janë fitues sepse dëshpërohen dhe nuk kanë se çfarë të humbnin më shumë largohen nga këto vende famëkeqe që shkatërrojnë boshtin familjar deri në palcë. Është dërguar propozim ligji për ndryshime në Kuvend, por miratimi po zvarritet mbase arsyet po dihen sepse ndryshimi i ligjit nuk i shkon përshtati rrjetit të bizneseve edhe nga jashtë shtetit, shkruan Zhurnal.
Kur do të miratohet ligji për lojërat e fatit?
Propozim-ligji për lojërat e fatit do të mbetet në procedurë parlamentare. Kështu deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski, në pyetjen se çka do të ndodh me këtë propozim ligj, për të cilin edhe ambasadori i Austrisë në vend, dërgoi porosi që të kihet kujdes me mënyrën e miratimit. Sipas kryeministrit propozimi është përpiluar në bazë të kritereve evropiane dhe parashikon mbrojtjen e atyre që luajnë kumar, adoleshentëve, si dhe parashikon që të sjellë më shumë para në buxhetin e shtetit.
“Propozimi ligji është dorëzuar bashkë me deklaratën për harmonizimin i nënshkruar nga ministri përkatës, në këtë rast nga Ministri i Financave, me akt të theksuar qartë për Bashkimin Evropian me të cilin është bërë harmonizimi”, deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Kundër hapjes së vazhdueshme të Lojërave të fatit kanë reaguar nga forumi rinor i BDI-së të cilët janë pjesë të fraksionit në parti. Nënkryetari i Forumit Rinor të BDI-së, Jetmir Asani tha se pushteti luan kumar me fatin e të rinjve pasi vazhdimisht planifikon të hap lojëra fati, në vend që të hapë biblioteka, vende pune, apo kënde rinore, e për këtë arsye largojnë për çdo ditë na vendi mijëra të rinj.
“Qeverinë e Lojërave të fatit e ftojmë të vendos gishtin në kokë se nëse dhjetëra mijë të rinj kanë braktisur vendin për kurbet, ky numër do të jetë shumë më i lartë, falë politikave të juaja që nuk i keni fare për të rinjtë, por keni politika se si të themeloni më shumë kompani për lojërat e fatit, e ato ti udhëheqin njerëzit e afërm të juaj, nga të cilët tre anëtarë të lotarisë së re janë të afërmit e ministrave të BDI-së”, u shpreh Jetmir Asani, fraksioni i BDI-së.
Nga Forumi rinor i BDI-së, të cilët janë pjesë e fraksionit, thonë se nëse pushteti nuk ndalon me politikat për hapjen e lojërave të fatit, do të përdorin metoda të ndryshme demokratike për të ndaluar, siç thonë, këtë të keqe në shoqëri.
Propozimi ligji ndodhet për miratim në procedurë të shpejtë parlamentare përkundër reagimeve se pas tij qëndrojnë interesa biznesore për përfitime të majme. Prandaj, edhe procedurat për ndryshim të ligjit zvarriten deri në këtë masë të paarsyeshme vetëm që kjo temë të humbë interesin publik, dhe ndryshimet e parapara mos të ndodhin fare.
Por, në Maqedoninë e Veriut funksionon edhe Lëvizja anti-bixhoz, e cila është themeluar pikërisht për këtë dhe veprimtarinë e saj e ka të orientuar në këtë drejtim. Prandaj, Lëvizja anti-bixhoz do të vazhdoj të jetë anti apo kundër bixhozit e për këtë do të lëvizë derisa të lëvizin edhe kazinot nga vendet që janë lehtë të qasshme, tërheqëse e joshëse për të rinjtë.
Kazino në çdo cep të qyteteve –
Në vendin tonë nuk duhet ndonjë incizim me dron apo përdorimi i navigacioneve për të gjetur kazinotë dhe këto shitoret e parave sepse janë shpeshtuar aq shumë në lokacione që mund të gjesh në çdo cep e në secilin qytetet. Ekziston një shtrirje e gjithanshme dhe në lokacione shumë delikate e të rrezikshme për shoqërinë, posaçërisht për të rinjtë. Shembull, bastet dhe kazinotë hapen në lokacione përballë shkollave të mesme dhe kjo në mënyrë direkte u imponohet të rinjve duke qenë sa më tërheqës për ata.
Pothuajse në të njëjta lokacione po vendosen edhe “shitoret e parave” dhe me këtë ata po dëshmojnë se fokus grupet e tyre janë të rinjtë, sepse ata janë edhe në fazën ku kanë nevojë për para dhe janë prepotentë që të mashtrohen më lehtë. Por, viktima të kazinove dhe fajdexhinjve legal nuk janë vetëm të rinjtë, në këto vende janë të ekspozuar edhe të rriturit e të moshuarit, dhe kjo është tregues që kemi të bëjmë me një “virus” të dukshëm të prekshëm e që në mënyre manipulative infekton qytetarët.
Kujtojmë që, propozim-ndryshimet për Ligjin e Lojërave të Fatit janë dorëzuar në Kuvend para më shumë se një muaj. Në ndryshime, përveç që kërkohet që objektet e bastoreve të jenë të paktën 500 metra larg institucioneve arsimore, parashikohen taksa më të larta ndaj shtetit për kompanitë e këtij biznesi. Presidenti Pendarovski para dy ditëve kërkoi propozim për tërheqjen e ligjit, hartimin e një ligji të ri, por paraprakisht të ketë debat publik, me qëllim që rregullat t’u përshtaten të gjithë palëve të interesuara. /Zhurnal.mk
