Pas deklaratës së të kryeministrit në ardhje të Hungarisë se do ta deportojë Nikolla Gruevskin, kryeministri Hristijan Mickoski paralajmëron se nëse azilanti rikthehet nga Budapesti, do të dërgohet direkt në burg.
“Unë nuk kam kurrfarë pritje, por nëse Nikolla Gruevski paraqitet në Maqedoni ai ka vendim të plotfuqishëm dhe ai menjëherë pasi të paraqitet në Maqedoni, normalisht organet e rendit do ta sigurojnë dhe do ta dërgojnë në mbajtje të dënimit me burg”, dekalroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Ndërkohë përgjegjësinë për ekstradimin e Gruevskit, Mickoski e lë në duart e ministrit të Drejtësisë Igor Fillkov.
“Nga ajo që jam i njoftuar është se ekziston procedurë nëse personi ka të drejtë të azilit për arsye të caktuara dhe mendoj se për më shumë detaje të drejtoheni te Ministria e Drejtësisë. Unë nuk jam ministër i Drejtësisë, unë jam kryetar i Qeverisë”, theksoi Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Mandatari i ardhshëm hungarez Peter Magjar, dje paralajmëroi deportimin e Gruevskit duke theksuar se Hungaria nuk do të bëhet strehë për kriminelë të kërkuar ndërkombëtar.
“Hungaria nuk do të jetë strehë për kriminelë ndërkombëtarë. Dhe kjo nuk vlen vetëm për ata, por edhe për zotëri Nikolla Gruevski ish kryeministri maqedonasoverior, i cili gjithashtu është i dënuar”, tha Peter Magjar, TISA.
Ish kryeministri Gruevski është në arrati që nga viti 2018, kur me vendim të plotfuqishëm u dënua me 2 vjet burg për rastin “Tanku”. Ai u arratis në Budapest, ndërsa miku i tij Viktor Orban i dha azil në bazë të pohimeve se është politikisht i përndjekur nga kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev. Në vitin 2018 Maqedonia dorëzoi kërkesë për ekstradim ndërsa një vit më vonë autoritetet hungareze e refuzuan kërkesën./Alsat.mk.
