Dëshira e popullit për një qeverisje të drejtë dhe transparente është bërë gjithnjë e më e theksuar, veçanërisht në vitet e fundit. Shqiptarët janë të lodhur nga politika e mbushur me korrupsion dhe keqpërdorim, janë duke ngritur zërin e tyre për ndryshim. Por, pyetja e cila mbetet është: a kanë marrë mësimin funksionarët e qeverisë aktuale?
Shkruan Elon Latifi
Partitë tradicionale, si BDI, kanë dështuar të tregojnë gatishmëri për reforma të thella dhe përputhje me vlerat demokratike. BDI, një parti që dikur shihej si shpresa e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, sot përballohet me akuzat për korrupsion të institucionalizuar.
Mesazhi i qartë i dërguar nga SHBA, dy herë radhazi, (me futjen e Merkos dhe Grubit në listën e zezë) për të nisur reforma nuk u përfill. Ky injorim i hapur ndaj aleatëve strategjikë është një tregues i qartë i arrogancës politike dhe mungesës së vetëdijes. Ali Ahmeti, lideri historik i kësaj partie, duket se ende nuk ka marrë mesazhin e ndërkombëtarëve ose nuk ka dëshirë të mbushet mend.
Në të kundërtën, qeveria aktuale ka filluar të dërgojë sinjale se është gati për ndryshim. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit është bërë pjesë e agjendës së tyre, duke dhënë shpresa se ndoshta ky është fillimi i një epoke të re. Investimet prej 720 milionë eurosh brenda disa muajve të qeverisjes flasin për një përkushtim serioz në drejtim të zhvillimit ekonomik. Kjo është një pikë e rëndësishme që populli e vëzhgon me kujdes. Gjithashtu “Korridori 8” filloi të ndërtohet me një punë intenzive dhe këtë e lëvdëroi ambasadorja amerikane në vend, Angela Aggeler.
Ndërkaq, shqiptarët, si pjesë e kësaj loje të madhe politike, po vetëdisohen gjithnjë e më shumë. Mjaft më me politikanë hajdutë, gënjeshtarë dhe mendjemëdhenj! Kjo është thirrja që po përhapet në të gjithë shoqërinë tonë. Kjo vetëdije e re shpreson të sjellë një ndryshim të qëndrueshëm dhe të thellë, jo vetëm në qeverisje, por edhe në mentalitetin kolektiv.
Shqiptarët meritojnë një të ardhme të ndritur, dhe ajo mund të arrihet vetëm nëse politikanët kuptojnë që koha e korrupsionit ka përfunduar. As BDI, as cilado parti apo lider që nuk është i gatshëm të ndryshojë, nuk do të ketë më vend në arenën politike. Populli e ka fjalën e fundit, dhe fjalën e tij po e thotë me vendosmëri. Populli dëshiron reforma, dëshiron integritet, dhe të ardhme që i takon!