16.8 C
Skopje
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Në aeroportin e Shkupit dhe të Ohrit 3,15 milionë udhëtarë në vitin 2023

Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe Aeroporti Shën Apostull Pali në Ohër, me të cilët menaxhon TAV Maqedonia, filial i Aeroporteve TAV, shënojnë 33 për qind rritje në qarkullimin e udhëtarëve në vitin 2023, në krahasim me vitin 2022, përderisa në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2019, rritja është 18 për qind.

Nga Aeroportet TAV sot njoftuan se Aeroporti Ndërkombëtar në Shkup dhe Aeroporti Shën Apostull Pali në Ohër, e kanë përfunduar vitin 2023 me rimëkëmbje të dukshme në qarkullimin ajror të udhëtarëve, me çka kanë shënuar afërsisht 3,15 milionë udhëtarë ose gjithsej 3 149 274 udhëtarë dhe ishin realizuar 23.949 fluturime.

Numri i përgjithshëm i udhëtarëve, 3 149 274, i arritur në vitin 2023, qëndron në kumtesë, është kthesë e rëndësishme për dy aeroportet në Maqedoninë e Veriut, ndërsa nënkupton edhe dy arritje në të njëjtën kohë – tejkalimin e numrit rekord të udhëtarëve nga viti 2019 nga afro 2,7 milionë udhëtarë dhe për herë të parë janë shërbyer edhe mbi tre milionë udhëtarë në dy aeroportet.

Nga operatori i aeroportit janë të kënaqur sepse, siç bëhet e ditur në kumtesë, aeroportet në Maqedoninë e Veriut i tejkaluan parashikimet për qarkullimin evropian ajror të udhëtarëve në këshillin ndërkombëtar të aeroporteve (ACI) për vitin 2023 për gati 23 për qind përkundër vitit 2019 dhe janë të sigurt se trendi pozitiv do të vazhdojë dhe me siguri do t’i tejkalojë +1,4 të parashikuarat edhe për vitin 2014, veçanërisht duke e pasur parasysh kërkesën e fuqishme për transportin ajror, si dhe cilësinë e shërbimeve që ofrohen në aeroportet në Shkup dhe Ohër.

Destinacione më të frekuentuara nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit sipas statistikës për transportin ajror të udhëtarëve të TAV Maqedoni, për vitin 2023, ishin Stambolli (dy aeroportet IGA dhe Sabiha Gokçen me 10,9 për qind pjesëmarrje në treg), Bazel Miluz (6,4 për qind), Cyrih (5,4 për qind), Frankfurt (4,7 për qind), Dortmund (4,5 për qind), Vjenë (4,4 për qind), Minhen Memingen (4,3 për qind), Antali (3,2 për qind), Hamburg dhe Këln (nga 2,7 për qind).

Top pesë vendet me fluturime të drejtpërdrejta për vitin 2023 ishin Gjermania (28,3 për qind pjesëmarrje në treg), Turqia (16,1 për qind), Zvicra (13.4 për qind), Suedia (6,5 për qind) dhe Italia (6,4 për qind).

Në lidhje me pjesëmarrjen e kompanive ajrore në qarkullimin e udhëtarëve në vitin 2023 në aeroportin e Shkupit, Wizz Air ka transportuar numër më të madh të udhëtarëve në vitin 2023 (61,8 për qind pjesëmarrje në treg), pastaj vijojnë Turkish Airlines (7 për qind), Pegasus Airlines (6,2 për qind),  Austrian Airlines (4,4 për qind) dhe Chair Airlines (3,7 për qind).

Në aeroportin e Ohrit, në vitin 2023, destinacioni më i frekuentuar për udhëtim ishte Bazeli (21,5 për qind pjesëmarrje në treg), pastaj Vjena (21 për qind), Dortmund (16,4 për qind), Memingen (11,9 për qind), Malme (9,4 për qind), Cyrih (9,3 për qind), Amsterdam (8,8 për qind), ndërsa destinacionet e tjera janë me pjesëmarrje në treg prej 0,5 për qind.

Momentalisht edhe sipas itinerarit të dimrit të fluturimit, ka 13 kompani ajrore të cilat operojnë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit (Aegean Airlines, Air Serbia, Austrian Airlines, Chair Airlines, Croatia Airlines, Easyjet, Edelweiss, LOT Polish Airlines, Lufthansa, Pegasus Airlines, SunExpress, Turkish Airlines, Wizz Air) dhe qarkullojnë deri në 42 destinacione, përderisa nga Aeroporti Shën Apostul Pali në Ohër, tri kompani ajrore (Chair Airlines, Edelweiss, Wizz Air) qarkullojnë në katër destinacione.

Të ngjajshme

Të fundit