Shvercerat Shkup sot festuan 35 vjetorin e themelimit të tyre, me një atmosferë tejet elektrizuese.
Shkruan POPULLI.mk
Tribunat u mbushën me flamuj bardh e kaltër, fishekzjarre dhe këngë që dëgjoheshin edhe larg stadiumit. Ishte një skenë që çdo ekip do të ëndërronte t’i kishte këta tifozë pas vetes. Por, ndërsa entuziazmi i tifozëve arriti kulmin, ajo që ndodhi në fushë ishte një goditje për çdo zemër të çdo shkupjani.
FC Shkupi, përballë një kundërshtari si Sileksi, nuk arriti as të afrohej me pritshmëritë. Humbja 0:2 sot ishte më shumë se një rezultat, ishte një reflektim i një problemi më të thellë. Tifozët, që japin gjithçka për ekipin e tyre, meritojnë të shohin në fushë lojtarë me shpirt gare dhe kryesi që kupton rëndësinë e përgjegjësisë. Fatkeqësisht, të dyja këto sot munguan në stadiumin e Çairit.
Presidenti i ri i klubit, i cili ndoqi ndeshjen nga tribunat, duhet ta ketë kuptuar tashmë madhësinë e sfidës që ka përpara. Rezultatet e vjetra nuk mund të vazhdojnë në një klub që pretendon të jetë ndër më të mirët në vend. Ta rikthesh FC Shkupin në krye të tabelës nuk është thjesht një ambicie, por një detyrë ndaj tifozëve që nuk kanë reshtur kurrë së mbështeturi për plot 35 vjet me radhë.
Shvercerat kanë qenë shtylla e ekipit për 35 vite. Ata nuk kanë ndalur kurrë së kënduari, pavarësisht nga disfatat apo zhgënjimet. Por, ky përkushtim nuk mund të jetë i njëanshëm. Çdo shkupjan i dëshpëruar ka të drejtën të kërkojë më shumë nga futbollistët dhe drejtuesit e klubit. Shpirti fitues nuk është vetëm një kërkesë sportive; është një simbol i krenarisë dhe dinjitetit të një komuniteti.
Në këtë moment, FC Shkupi duhet të shohë përtej shifrave dhe statistikave. Rikthimi i ekipit në krye nuk vjen vetëm nga strategjia, por edhe nga frymëzimi dhe respekti për ata që qëndrojnë gjithmonë pas tyre. Tifozët e kanë bërë të qartë ata do të jenë aty. Pyetja që mbetet është; A do të jetë edhe skuadra? / © POPULLI.mk