17.7 C
Skopje
E enjte, 4 Qershor, 2026
Home Blog Page 2725

Dronët Bayraktar në arsenalin e Forcave të Armatosura shqiptare

0

TIRANË – Shqipëria dhe firma turke “Bayraktar” firmosën dje marrëveshjen për blerjen e flotës së dronëve pa pilot, teknologjia më e lartë e fluturimeve për misione ushtarake, policore dhe civile.

Kryeministri Edi Rama solli sot momente nga ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për futjen e dronëve të famshëm Bayraktar në arsenalin e Forcave tona të Armatosura.

Këto dronë do të jenë në funksion të sigurisë kombëtare, të luftës kundër krimit e kultivimit të paligjshëm të hashashit, të emergjencave civile, mbrojtjes së territorit dhe mbledhjes së informacioneve gjeohapësinore.

Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama vuri dje në dukje se dronët do të jenë gati edhe për një plan aktivitetesh për mirëqeverisjen e vendit, sigurimin e pronave, zbatimin e ligjit dhe rastet e emergjencave civile. Do ta ndihmojë të monitorojmë trafikun, personat e kërkuar nga policia dhe për monitorimin e territorin dhe të arrijmë kapacitet të fjalës së fundit për luftimin e kultivimit të narkotikëve dhe luftën kundër ndërtimeve të paligjshme./ATSH

adv

Tetovë: Babai denoncoi rrejshëm djalin e tij për vjedhje

0

Babai pesëdhjetë e dy vjeçar nga rrethina e Tetovës ka denoncuar rrejshëm se djali i tij 19 vjeçar ka vjedhur stoli ari dhe deviza në vlerë të përgjithshme prej 100 mijë euro.

Sektori i punëve të brendshme Tetovë deri në Prokurorinë Themelore Publike Tetovë, ka dorëzuar kallëzim penal kundër 52-vjeçarit M.Xh. nga Pallatica e Tetovës për shkak të dyshimit se ka kryer veprën “Denoncim i rrejshëm i veprës penale”, të dënueshme në bazë të nenit 366 paragrafi 1 të Kodit Penal.
I njëjti dyshohet se më datën 02-dhjetor ka raportuar se në shtëpinë e tij në Pallaticë është kryer një vjedhje e rëndë në të cilën ka marrë pjesë djali i tij A.Xh.(19) me tre shokë të tjerë, pas së cilës dyshohet se kanë dalë nga shtëpia dhe janë larguar. në një automjet “Volkswagen Golf” me targa regjistrimi të tetovës.
I dyshuari ka pranuar se të gjithë rrëfimin lidhur me vjedhjen e kishte sajuar.

adv

Prilep, 26 vjeçari dyshohet se e vrau babain

0

Një 26 vjeçar është arrestuar pasi dyshohet se pas zënkës me babain e tij e ka goditur atë për vdekje. Ngjarja ka ndodhur në rrethinën e Prilepit.

“Me datë 19.12.2022 në ora 22:00 në rrugën “Dimo Narednikot” në Prilep, zyrtarë policorë nga Prilepi kanë privuar nga liria A.M (26) nga fshati Sellcë, Prilep. Ai dyshohet se rreth orës 20:00 në shtëpinë e familjes në fshatin Sellcë, pas një debati të mëparshëm, ka plagosur me një send të mprehtë babain e tij M.M (52), i cili më pas ka ndërruar jetë. Për ngjarjen është njoftuar Prokurori Publik, ndërsa një ekip nga Zyra rajonale Prilep ka kryer hetime. Me urdhër të Prokurorit Publik, trupi i pajetë është dorëzuar për obduksion”, thuhet në raportin e MPB-së.

adv

Vazhdon debati në Kuvendin e RMV-së për propozim-buxhetin për vitin 2023

0

Kuvendi sot në orën 12:00 do të diskutojë për të tretën ditë me radhë Propozim-buxhetin e ndryshuar për vitin 2023, pasi Qeveria miratoi tekstin pas amendamenteve të pranuara në Komisionin Parlamentar mëmë.

Shpenzimet e përgjithshme në Buxhetin për vitin 2023 janë planifikuar në vlerë prej 324,8 miliardë denarë ose 36,3 miliardë denarë më të larta se buxheti për vitin 2022. Deficiti i parashikuar për vitin 2023 në vlerë prej 42,7 miliardë denarë si dhe shlyerja e borxhit në vlerë prej 52,1 miliardë denarë, prej të cilëve borxhi i jashtëm në vlerë prej 36,5 miliardë denarë dhe borxhi i brendshëm në vlerë prej 15,6 miliardë denarë do të financohet me huamarrje të brendshme dhe të jashtme.

Për qeverinë, sipas asaj që u prezantua në ditën e parë të debatit, buxheti i propozuar është real dhe është përgjigje ndaj krizës energjetike, me mbështetjen e qytetarëve dhe ekonomisë dhe do të sigurojë një kthesë ekonomike. Nga ana tjetër, opozita vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë fiskale dhe mendon se buxheti është inflacionist dhe manipulues, pa mbështetje adekuate në sektorët kyç.

adv

Digjet një autobus në Kumanovë, nuk ka të lënduar

0

Ka marrë flakë një autobus i cili sapo ishte nisur nga stacioni i autobusëve në Kumanovë në drejtim të Shkupit, njofton “Alsat”.

Zjarri kaploi pjesën e sipërme të autobusit, ndërsa falë intervenimit të shpejtë të zjarrfikësve dhe drejtuesit të autobusit, zjarri u fik shpejtë.

Udhëtarët të cilët ishin brenda janë evakuar me kohë.

adv

Ky është parashikimi i motit për sot

0

Moti sot në mëngjes do të jetë i ftohtë, nëpër disa lugina do të ketë paraqitje të mjegullës ose vranësira të ulëta. Gjatë ditës moti do të jetë me diell dhe vranësira të vogla lokale dhe me erë të dobët nga drejtimi jug-veri. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -5 deri në 1, ndërsa ajo maksimale do të arrij prej 5 deri në 11 gradë.

Në Shkup dhe rrethinë mëngjesi do të jetë i ftohtë dhe me paraqitje të mjegullës, gjatë ditës me diell dhe vranësira të vogla lokale. Temperatura minimale do të ulet në -2, ndërsa ajo maksimale do të arrij në 6 gradë Celsiusë.

adv

Institucionet shtrëngojnë masat kundër sulmeve hibride

0

Këshilli koordinues i shërbimeve inteligjente në kuadër të Qeverisë ka miratuar vendime të cilat sipas tyre do të ndikojnë në zbulimin e sulmeve hibride nëpër shkolla dhe institucione. Në këshill është diskutuar edhe për mekanizmat që ndikojnë në rritjen e rezistencës. Sipas ministres së Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska në këshill është konstatuar se për momentin nuk ekziston kërcënim real ndaj sigurisë, por shërbimet duhet të punojnë për të garantuar sigurinë.

“Deri në këto momente nuk ka kërcënim real për sigurinë dhe këtë duhet ta dinë qytetarët. Por asgjë nuk guxon t’i mbetet rastësisë. Çdo shërbim në kuadër të kompetencave të veta do të ndërmerr masa plotësuese për të garantuar sigurinë”, deklaroi Sllavjanka Petrovska, ministre e Mbrojtjes.

Por sa është Maqedonia e Veriut rezistente ndaj sulmeve hibride ndaj sistemit të institucioneve të sigurisë, apo sa mund të pret vendin tonë një skenar si ai i Shqipërisë. Petrovska thotë se në procedurë e sipër është ligji për përmirësimin e mbrojtjes së infrastrukturës hibride në vend, duke pranuar se ndaj sulmeve nuk është askush 100 për qind imun.

“Ministria e Mbrojtjes është propozues i ligjit të ri për mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Deri sa të miratohet ligji, çdo institucion është duke ndërmarr masa për të siguruar mbrojtjen hibride. Këtu dua të them se kemi mbështetjen e pa rezervë të partnerëve edhe nga NATO edhe jashtë saj”, u shpreh Sllavjanka Petrovska, ministre e Mbrojtjes.

Deri tani sulmet hibride kanë prekur shkollat, çerdhet, qendrat tregtare dhe aeroportin. Sulmet e natyrës së tillë nuk kanë ndërhyrë në sistemet e të dhënave të klasifikuara brenda institucioneve relevante.

Zyrtarisht nga organet e zbulimit dhe të ndjekjes penale është deklaruar se po punohet për zbardhjen e rasteve, ndërsa motivi i sulmeve është pozita gjeostrategjike e shtetit. Është zbardhur një rast i vetëm ku një fëmijë 14 vjeçar ka dërguar alarm të rrejshëm dhe do të ndiqet penalisht për veprën terrorizëm.

adv

Kosova e interesuar për dronët Bayraktar të Turqisë

0

Kosova e ka në agjendë dhe po zhvillon punime për çështjen e blerjeve të dronëve të prodhimit turk, Bayraktar.

Kështu tha për agjencinë shtetërore të lajmeve turk Anadolu, ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës, Fikrim Damka.

Ai tha se çdo blerje e armëve “do të përdoret vetëm për mbrojtjen e vendit”.

“Sigurisht që çështja e dronëve me armë është edhe në agjendën tonë. Lidhur me këtë shteti ynë zhvillon punime çdo herë. Janë realizuar vizita. Presidentja jonë [Vjosa Osmani] dhe ministri i Mbrojtjes [Armend Mehaj] i kanë vizituar dronët Bayraktar në vend. Ky është proces afatgjatë. Çdo shtet dëshiron të ketë dronët në shtëpi, në magazinën e arsenalit të tij ushtarak”, tha Damka.

Qëllimet për blerjen e dronëve Bayraktar, Damka i konfirmoi edhe për Radion Evropa e Lirë. Megjithatë, ai tha se nuk ka informacione shtesë lidhur me buxhetin që do të shpenzohet apo sa dronë të tillë dëshiron t’i blejë Kosova, pasi këto çështje nuk i përkasin dikasterit që ai drejton.

Presidentja Osmani, gjatë vizitës në Turqi, më 26 shkurt të këtij viti kishte vizituar fabrikën e prodhimit të dronëve Bayraktar.

Bayraktar (Flamurtar) është një dron relativisht i lirë, që për herë të parë ka fluturuar më 2014. Dronët e tillë të llojit TB2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit që të luftojnë kundër pushtimit rus.

Pavarësisht se çmimi i një Bayraktari TB2 nuk është bërë publik, më herët gjatë këtij viti ishte organizuar mbledhja e fondeve për të blerë dronë të tillë për Ukrainën dhe organizatorët e mbledhjes së këtyre fondeve kishin sugjeruar se 5 milionë euro janë të mjaftueshme për një dron.

Dronë të tillë Turqia ka përdorur në ato që i quan “operacione kundër terrorizmit” kundër militantëve kurdë.

Bayraktarët kanë pasur ndikim shkatërrues edhe gjatë konfliktit të vitit 2020 mbi rajonin e kontestuar të Nagorno Karabakut, kur dronët TB2 u përdorën nga Azerbajxhani kundër forcave etnike armene.

Mbështetja e Turqisë për FSK-në

Viteve të fundit, ka ndihmuar Forcën e Sigurisë së Kosovës, kryesisht përmes donacioneve.

Vitin e kaluar, REL-i raportoi se FSK-ja merr rreth 100 milionë lira turke në vit si donacion, e të cilat i shfrytëzon për të kontraktuar blerjen e pajisjeve ushtarake po ashtu nga Turqia.

Kosova dhe Turqia po ashtu kanë nënshkruar kontratë për blerjen e automjeteve ushtarake të blinduara me pajisje armatimi. Këtu janë përfshirë automjete të tipit Vuran me tërheqje 4×4, ndërkaq dhjetë të tjera të së njëjtës kompani, por të tipit KIPRi, të pajisura me armatime.

Automjetet Vuran prodhohen nga kompania komerciale turke për makina ushtarake, BMC Otomotiv në bashkëpunim me firmën më të madhe për pajisjet e mbrojtjes, Aselsan.

Ankaraja po ashtu i ka dhuruar FSK-së automjete të blinduara të tipit Cobra në formë donacioni.

adv

Buxheti 2023, VMRO-DMPNE: Bankrotim dhe varfërim i popullsisë

0

Pasuan kundërreplika nga deputetët e VMRO-DPMNE-së duke e cilësuar projektin buxhetor si një hap para bankrotimit.

“Ky buxhet i projektuar në 5.3 miliard euro është si “një balon i fryrë i cili do të shpërthejë dhe shumë shpejtë do të shohim rebalancin. Mirë e dini se letra duron gjithçka dhe paaftësia e korrupsioni juaj do të bëj që këto të mos realizohen fare.”, – tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Jovan Jauleski.

Sipas opozitës maqedonase vitin që vjen pritet të shtohet varfëria dhe në vazhdim edhe mbyllja e shumë ndërmarrjeve.

“Thuajse gjysma e buxhetit shkon për transfere sociale, në vlerë prej 2.3 milirad euro. Kemi rritje prej 192 milion euro në krahasim me rebalancin, fakt i cili flet se varfëria në vazhdimësi po rritet.”, – deklaroi deputetja e VMRO – DPMNE-së, Angelinka Petkova.

“Vitin e ardhshëm do të kemi rritje drastike të normave të interesit e që afaristët për disa vite do ta ndjejnë në kurrizin e tyre dhe do të vijojë bankrot edhe më i madh i kompanive në vend.”, – theksoi deputetja e VMRO – DPMNE – së, Ane Llashkova.

Opozita gjithashtu bëri thirrje edhe për të dhënat e anketave të Institutit Republikan Amerikan, se afër 90% e qytetarëve nuk jetojnë më mirë edhe përkundër deklarimeve të pushtetit.

adv

Vedat Muriqi mund t’i bashkohet Real Madridit

0

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi mund t’i bashkohet Real Madridit. Kështu të paktën raportojnë mediumet në Spanjë dhe Itali.

Sipas gazetës italiane “Il Tempo” dhe “Fichajesit” në Spanjë, presidenti i Realit, Florentino Perez është fans i madh i 28-vjeçarit Muriqi dhe e sheh atë për sa i përket fizikut dhe instinktit të golit të ngjashëm me Karim Benzeman.

Mallorca vlerëson Muriqin rreth 20 milionë euro, ndonëse është pretenduar se klauzola e blerjes mund të shkojë deri në 40 milionë euro.

Sulmuesi 28-vjeçar po kalon momente të mira në Spanjë. Në 18 ndeshje në të gjitha garat e sezonit aktual ka shënuar 13 gola dhe ka kontribuar me tre asistime.

adv