23.8 C
Skopje
E diel, 31 Maj, 2026
Home Blog Page 40

Hakerëst rus “Fancy Bear” synojnë rajonin, përfshi edhe Maqedoninë e Veriut!

0

Gjurmë të grupit rus të hakerëve “Fancy Bear”, të cilin institucionet shtetërore amerikane dhe britanike e lidhin me shërbimin ushtarak të inteligjencës ruse GRU, janë gjetur në adresa elektronike të lidhura me domainet e qeverisë maqedonase, Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Mbrojtjes, njoftoi grupi i ekspertëve të pavarur ndërkombëtarë për sigurinë kibernetike “Ctrl Alt Intel”.

Në raportin e “Ctrl Alt Intel” thuhet se “Fancy Bear” ka komprometuar me sukses subjekte qeveritare dhe ushtarake në Maqedoninë e Veriut, Ukrainë, Rumani, Bullgari, Greqi dhe Serbi – përfshirë edhe adresa elektronike të lidhura me katër vende anëtare të NATO-s.

“Më 28 shkurt 2024 u njoftua se Maqedonia e Veriut iu bashkua sanksioneve perëndimore kundër Rusisë dhe dërgoi armë dhe pajisje në Ukrainë. Kjo e bën Maqedoninë e Veriut një objektiv të besueshëm, edhe pse me rëndësi më të vogël, për t’u përfshirë në grupin e viktimave të lidhura me shtetet që mbështesin Ukrainën”, thuhet në raport.

Në raport ishte theksuar gjithashtu se një e-mail me domenin gov.mk ishte komprometuar nga grupi rus i hakerëve.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Qeverisë me pyetje nëse posta e saj elektronike ka qenë objekt i hakerimit dhe nëse një sulm i tillë është raportuar në Qendrën Kombëtare për Reagim ndaj Incidenteve Kompjuterike MKD-CIRT.

Përgjigjja e Qeverisë ishte se nuk ka incident zyrtar kibernetik, por vetëm përmendje të adresave të e-mailit që konsiderohen të dhëna publikisht të disponueshme, dhe jo fjalëkalime apo informacione të tjera konfidenciale.

“Në lajmin, përkatësisht raportin, referohen adresa e-maili, por jo kredenciale, të cilat hakerët i mbledhin vazhdimisht (shpesh nga burime publike) për sulme të mundshme në të ardhmen. Në përputhje me këtë, dhe në kuadër të kompetencave të Sekretariatit të Përgjithshëm të Qeverisë, nuk është raportuar incident në CIRT kombëtar. Qeveria ndërmerr aktivitete të vazhdueshme për përmirësimin e sigurisë kibernetike dhe ndjek në mënyrë proaktive të gjitha informacionet”, u përgjigj Qeveria për REL.

Një ditë pasi gjetjet e raportit iu përcollën Qeverisë, pjesa që i referohej një e-maili qeveritar të komprometuar u zhduk nga versioni fillestar i publikuar.

Ben Folland, studiues në organizatën “Ctrl Alt Intel”, shpjegoi për REL se bëhej fjalë për një gabim në publikimin e blogut.

“Maqedonia e Veriut ishte një objektiv i fortë i ‘Fancy Bear’; ata madje regjistruan domenin govmk.com për t’u paraqitur si MK për përdorim në fushata phishing. Nga ditari i viktimave, pamë një objektiv me domenin mail.govmk.com. Ne thamë se kishte një viktimë nga ky domen, megjithëse kjo nuk ishte një viktimë reale nga Maqedonia e Veriut. Ne pamë viktima të MK përmes proxy-ve, diku tjetër në fushatë”, tha Folland.

Megjithatë, në raport mbetën të listuara shtatë adresa, prej të cilave pesë lidhen me Ushtrinë e Maqedonisë së Veriut (mil.mk) dhe dy me Ministrinë e Mbrojtjes (mod.gov.mk). Shpjegimi është se ato janë nxjerrë nga “lista e kontakteve” që u përkasin viktimave reale të atij sulmi.

“Kjo tregon se adresat maqedonase janë nxjerrë nga ‘lista e kontakteve’ të viktimave të tjera reale. Ato vijnë nga Ministria e Mbrojtjes e Greqisë”, sqaroi Folland.

Nga Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut thanë se siguria e domaineve të Ministrisë dhe Ushtrisë monitorohet 24 orë në ditë nga specialistë.

“Deri në këtë moment, Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria nuk kanë të dhëna për rrjedhje informacioni nga e-mail-et e tyre. Fakti që janë identifikuar adresa me domainet mil.mk dhe mod.gov.mk nuk do të thotë domosdoshmërisht se ato janë sulmuar. Në tekstin e përmendur nuk përmendet një fushatë konkrete, por vetëm dosje të gjetura të një grupi hakerësh. Si institucione përgjegjëse në këtë fushë, sidomos pas fillimit të luftës në Ukrainë, jemi vazhdimisht subjekt i sulmeve kibernetike (qasje e paautorizuar, phishing, etj.) në përpjekje për të hyrë në të dhëna përkatëse. Për mbrojtje nga këto sulme, punonjësit trajnohen rregullisht së bashku me kolegë nga institucione të tjera shtetërore dhe me ndihmën e vendeve aleate”, thanë nga Ministria e Mbrojtjes.

Nga Ministria e Transformimit Digjital thanë se në adresat e përmendura në raport nuk ka kredenciale të komprometuara apo prova për qasje të paautorizuar në sistemet qeveritare. Ata shpjegojnë se këto adresa shpesh mblidhen nga burime publike ose rrjedhje të mëparshme jo sistematike dhe përdoren për fushata të mundshme phishing në të ardhmen.

“Duke qenë se nuk është konfirmuar incident, nuk janë regjistruar pasoja të drejtpërdrejta në sistemet informative, integritetin e të dhënave apo disponueshmërinë e shërbimeve. Në raport, domainet mil.mk dhe mod.gov.mk shfaqen në kontekstin e ‘vjedhjes së librave të adresave’, që do të thotë se bëhet fjalë për kontakte të nxjerra nga lista adresash, dhe jo për llogari të komprometuara. Megjithatë, të gjitha informacionet relevante nga burime të hapura monitorohen dhe analizohen vazhdimisht si pjesë e monitorimit proaktiv”, thanë nga ministria për REL.

Në raport, “Ctrl Alt Intel” thotë se arriti të qasej në dosjet e serverit të grupit rus të hakerëve në mes të marsit.

Në serverët e grupit janë gjetur më shumë se 2.800 e-mail-e, të nxjerra nga baza qeveritare dhe ushtarake. Janë vjedhur më shumë se 240 sete kredencialesh përdoruesi, përfshirë fjalëkalime dhe kode të autentifikimit me dy faktorë, ndërsa 140 adresa janë ridrejtuar në mënyrë të fshehtë drejt një e-maili të kontrolluar nga sulmuesit.

Më shumë se 11.500 adresa e-maili janë nxjerrë nga adresat e viktimave, duke hartëzuar rrjete të tëra komunikimi, shtoi “Ctrl Alt Intel”.

Nga institucionet evropiane drejt strukturave ushtarake evropiane

Një nga mënyrat e funksionimit të këtij grupi është identifikuar si depërtimi në sisteme përmes të ashtuquajturit spear phishing.

Kjo është një skemë e dërgimit të mesazheve të synuara, ku sulmuesi e përshtat mesazhin që të duket sikur vjen nga një person apo organizatë e besueshme, shpesh duke përdorur të dhëna personale të viktimës.

Qëllimi është të mashtrohet viktima për të shkarkuar një skedar të dëmshëm dhe kështu të sigurohet qasje në sistem, nga ku më pas sulmuesit marrin të dhëna nga serverët e brendshëm.

Sa i përket sulmit ndaj institucioneve shtetërore në Serbi, ekspertët e “Ctrl Alt Intel” identifikuan gjashtë llogari e-maili të komprometuara brenda Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe nga një në sistemet e Akademisë Ushtarake dhe Akademisë Ushtarake Mjekësore.

Janë mbledhur 248 kontakte me të cilat këto llogari kishin komunikuar.

“Këto adresa e-maili të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë janë përdorur për të kontaktuar adresa të tjera, përfshirë disa brenda vetë ministrisë, si dhe struktura ushtarake dhe mbrojtëse evropiane. ‘Fancy Bear’ arriti të nxjerrë lista kontaktesh nga objektivat e saj fillestare në ministri për të marrë këto të dhëna”, shpjegoi Ben Folland.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigj kërkesave të Radios Evropa e Lirë lidhur me këto informacione.

Sulmi kibernetik nuk është raportuar as te Komisioneri për Informacion me Rëndësi Publike dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, siç kërkon ligji serb.

Në një letër për REL/RL, CERT-i kombëtar i Serbisë, organi qendror përgjegjës për parandalimin dhe reagimin ndaj rreziqeve në sistemet informative, deklaroi gjithashtu se nuk ka informacion për këtë sulm.

Kush qëndron pas grupit rus të hakerëve “Fancy Bear”?

“Fancy Bear” është një grup hakerësh aktiv për të paktën 10 vjet. Ata njihen edhe me emra të tjerë, përfshirë “APT28” ose “Forest Blizzard”, siç quhen në bazat e të dhënave të kompanisë teknologjike Microsoft.

Qendra Kombëtare për Sigurinë Kibernetike e qeverisë britanike vlerëson se “APT28 pothuajse me siguri është pjesë e Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës (GRU) të Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë”.

Anëtarët e këtij grupi u identifikuan drejtpërdrejt si oficerë të GRU-së në aktakuzën e Departamentit të Drejtësisë së SHBA në vitin 2018 kundër 12 anëtarëve të GRU-së për hakerimin e Komitetit Kombëtar Demokratik, Komitetit Demokratik të Kongresit dhe fushatës presidenciale të Hillary Clinton.

Sipas faqes së Microsoft, ky grup hakerësh rusë zakonisht sulmon qeveri, organizata joqeveritare, kompani IT dhe universitete, ndërsa sulme janë regjistruar në SHBA, Australi, Kanada, Indi, Ukrainë, Izrael dhe Japoni. /rel/

adv

Tra’gjedi në Gjermani, humbin jetën një nënë shqiptare dhe djali 3-vjeçar

0

Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Schramberg në Gjermani ku kanë humbur jetën një 29-vjeçare shqiptare dhe djali i saj 3-vjeçar.

Siç raportojnë mediat lokale, aksidenti i rëndë ndodhi pak para orës 09:00 në rrugën Oberndorfer ku një 53-vjeçari i cili ishte duke drejtuar një kamion humbi kontrollin duke dalë nga rruga dhe duke përplasur për vdekje nënë e bir.

Kamioni përplasi fillimisht tre automjete të parkuara dhe më pas përplasi në trotuar gruan 29-vjeçare me origjinë nga Kosova dhe djalin e saj 3-vjeçar.

Pavarësisht përpjekjeve të menjëhershme për ndërhyrje, nënë e bir ndërruan jetë në vendngjarje si pasojë e plagëve të rënda.

adv

“Merrni xhamitë, shkoni në Bosnje”, ish-zyrtari serb deklarata të rënda ndaj boshnjakëve të Sanxhakut

0

Ish-zyrtari i lartë i policisë së Serbisë, Žarko Popović, ka bërë deklarata të rënda dhe nxitëse ndaj boshnjakëve të Sanxhakut gjatë një paraqitjeje në emisionin “Intervju” në kanalin YouTube Balkan Info, i publikuar më 19 mars 2026, transmeton INA.

Popović, i cili dikur ka shërbyer si shef i Seksionit për krime të dhunshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, ka përdorur gjuhë fyese dhe përjashtuese ndaj komunitetit boshnjak, duke thënë:

“Ikni nga këtu”,
“Shkoni në Bosnje te Alija”,
“Edhe xhamitë merrni dhe i çoni me vete”,
“Çfarë kërkon përmendorja e Nënave të Srebrenicës në Novi Pazar”,
“Merrni edhe përmendoren e Nënave të Srebrenicës dhe çojeni”,
“Kjo është toka e Nemanjiqëve”.

Por lidhur me këto kërcënime kanë shpërthyer reagime nga ana e mediave dhe opinionit publik në këtë krahinë.

“Këto deklarata nuk përfaqësojnë debat politik të pranueshëm, por përbëjnë gjuhë të hapur të urrejtjes dhe thirrje për përjashtim etnik, duke nënkuptuar largimin e një komuniteti nga hapësira ku ai jeton prej shekujsh. Veçanërisht shqetësues është fakti që këto mesazhe vijnë nga një ish-funksionar i lartë policor, gjë që i jep deklaratave peshë dhe përgjegjësi të shtuar publike. Në prezantimin e emisionit gjithashtu u theksua se “informacione nga bota e nëndheshme” janë përdorur për të folur për figura të njohura të viteve ’90, duke rritur edhe më shumë polemikën rreth përmbajtjes. Ofendimet ndaj përmendores së Nënave të Srebrenicës – simbol i kujtimit të viktimave të gjenocidit – e rëndojnë më tej këtë diskurs dhe hapin debat për kufijtë e fjalës publike.

Një retorikë e tillë bie ndesh me mesazhet për paqe, bashkëjetesë dhe respekt ndëretnik, të cilat shpesh theksohen nga zyrtarë të lartë shtetërorë në rajon. Novi Pazari dhe Sanxhaku nuk janë hapësira për përjashtim, por vende ku ndërthuren kultura, fe dhe identitete të ndryshme. Çdo tentativë për ta mohuar këtë realitet ngre shqetësime serioze”, përcjell reagimet Sanxhakpress.(INA)

Në këtë rast, nuk bëhet fjalë për “mendim të lirë”, por për tejkalim të kufirit mes lirisë së shprehjes dhe gjuhës së urrejtjes — një kufi që në këtë rast është kaluar dukshëm.

adv

LSDM kritikon qeverinë: Nafta shkon në 95.5 denarë, masat dështojnë

0

LSDM në një kumtesë për media thonë se ata dhe kryetari i tyre Filipçe paralajmëruan Qeverinë se ulja e TVSH-së nga 18% në 10% nuk do të ketë efekt.

Nga LSDM thonë se vetëm një ditë pas konferencës për shtyp të Mickoskit, ku ai promovoi një masë gjysmë të gatshme, ka pasur rritje të re të çmimit të naftës, e cila tani arrin në 95.5 denarë për litër.

“Mickoski është një amator që nuk ka kapacitet për të udhëhequr Qeverinë, ose po e bën këtë qëllimisht për të mbrojtur bizneset private. Ose ndoshta të dyja. Pasojat tashmë janë të dukshme në tregje: vaji i gatimit është mbi 100 denarë, vezët mbi 300 denarë, frutat dhe perimet mbi 100 denarë për kilogram, mishi tashmë është rritur”.

“Gjithçka është më e shtrenjtë, çmimet po rriten dhe pagat nuk po lëvizin. Tani as një pagë prej 600 eurosh nuk do të jetë e mjaftueshme për qytetarët për të mbijetuar muajin. Në vend të shpërqendrimit, qeveria e Mickoskit duhet të ulë arrogancën e saj dhe të pranojë masat e LSDM-së”.

“Shpërqendrimi nuk mbush frigoriferët, nuk sjell ushqim në tryezën e qytetarëve të RMV-së, nuk sjell para në buxhetet familjare. Ulja e TVSH-së për karburantet në 5%, ulja e akcizave me 4 denarë, 0% TVSH për produktet ushqimore bazë, përgjysmimi i taksave rrugore”, thonë nga LSDM.

adv

Komuna Çair: BDI s’i njeh as kufijtë elementarë të Çairit, manipulon me opinionin publik!

0

Sot u dëshmua qartë se një subjekt politik, respektivisht BDI po tenton të manipulojë opinionin publik me informata të pavërteta për Sheshin “Skënderbeu” dhe territorin e Komunës së Çairit.

Pamjet e publikuara nga subjekti në fjalë, nuk i përkasin as këtij sheshi dhe as territorit të Komunës së Çairit, por një segmenti tjetër në zonën e ish “Most”-it, e që është jashtë kompetencave të Komunës së Çairit.

Ky është një tregues i qartë se disa nuk i njohin madje as kufijtë elementarë të Çairit.

Në videon e bashkëngjitur mund të shihet qartë ndarja territoriale: çfarë i takon Komunës Çair dhe çfarë Komunës Qendër.

adv

Zbulohet emri i partisë së re të Ziadin Selës, ja si quhet..

0

Një zhvillim i ri politik është paralajmëruar në skenën shqiptare, ku është bërë e ditur krijimi i një subjekti të ri politik me emrin “Lidhja Shqiptare”, i cili do të udhëhiqet nga Ziadin Sela, informon POPULLI.mk

Gjatë një interviste për LajmTV, përfaqësuesi i këtij grupacioni ka theksuar se bëhet fjalë për një organizim të ri, i ndërtuar mbi baza ideale dhe me synim krijimin e një strukture të fortë politike. Sipas tij, pjesë e këtij formacioni janë individë të përkushtuar, të cilët nuk e shohin dorëheqjen apo tërheqjen si zgjidhje.

Ai ka bërë të ditur se partia tashmë është krijuar dhe se nuk është lënë asgjë rastësisë, duke shtuar se emri “Lidhja Shqiptare” përfaqëson vazhdimësinë e një ideje dhe kauze politike të mëhershme.

Po ashtu, është theksuar se ky subjekt do të mbajë identitet kombëtar, duke u përfaqësuar me ngjyrat kuq e zi, ndërsa synimi kryesor mbetet organizimi dhe rikthimi në skenën politike me një qasje më të konsoliduar.

Në thelb të këtij organizimi të ri qëndron ideja e vazhdimësisë së një projekti politik, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për një riformatim dhe jo thjesht për një nisje nga e para. / © POPULLI.mk

adv

Debati për Rregulloren e Kuvendit, reagon Tedi Blushi

0

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi i ka kthyer përgjigje kreut të Kuvendit Niko Peleshi, në lidhje me faktin që brenda 3 prillit kërkohet të propozohen ndryshime në Rregulloren e Kuvendit.

Në përgjigje theksohet se ndryshimet e fundit në Rregullore janë shfuqizuar si anti-Kushtetues, pasi ka ndodhur vetëm me votat e mazhorancës, vendim i GJK që pritet ende të zbardhet.

“Në përgjigje të shkresës tuaj nr. 1215 Prot., datë 19.03.2026, me anë të së cilës na kërkoni që brenda datës 3 prill 2026, të propozojmë ndryshime që vlerësojmë të nevojshme në Rregulloren e Kuvendit, ju paraqesim paqartësinë tonë sa më poshtë:
Në shkresën tuaj ju shpreheni se “në kuadër të procesit të vlerësimit të nevojave për ndërhyrje dhe përmirësime të Rregullores së Kuvendif”, por pa specifikuar se për çfarë procesi bëhet fjalë, nga kush është ndërmarrë dhe po kryhet ky proces vlerësimi dhe si ka lindur kjo nevojë.
Sjellim në vëmendjen tuaj se Rregullorja e Kuvendit është ndryshuar së fundmi në mënyrë të njëanshme nga ana e mazhorancës, përmes vendimit nr. 57, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ky ndryshim është shfuqizuar njëzëri, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në datë 23.02.2026, nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, dhe ne jemi ende në pritje të zbardhjes së vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, detyrim që buron njëlloj edhe për Kryetarin e Kuvendit.
Ju duhet të tregoni maturi institucionale, të mos pranoni të keqpërdoreni dhe duhet të respektoni autoritetin dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat keni detyrimin për t’i kaluar më pas për vlerësim në Këshillin për Legjislacionin në Kuvendin e Shqipërisë. Çdo proces i njëanshëm për të ndryshuar rregullat e funksionimit demokratik të Kuvendit të Shqipërisë është minim i mundësisë së bashkëpunimit dhe bashkëveprimit demokratik mes palëve politike në Kuvendin e Shqipërisë.
Përsa më lart, mbetemi në pritje të sqarimit tuaj se për çfarë “procesi të vlerësimit të nevojave për ndërhyrje dhe përmirësime të Rregullores së Kuvendit” bëhet fjalë dhe kush e ka inicuar këtë proces, pa pritur vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.
Për ne është thelbësore në një shoqëri demokratike respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Shprehim shqetësimin tonë të thellë për injorimin që ju si Kryetar Kuvendi, dhe mazhoranca parlamentare, i bëni vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në përgjigje.

 

 

Burimi / BalkanWeb

adv

Largimi i 5 shqiptarëve nga MMB, BDI kërkon hetim institucional

0

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpreh shqetësim lidhur me vendimin e fundit të ministrit Ivan Stoilkoviç për të ndërprerë marrëdhënien e punës me pesë punonjës shqiptarë në Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.

Sipas BDI-së, vendimi përbën “ka elemente të qarta të një procesi të kontestueshëm, si në aspektin procedural ashtu edhe në atë material”.

“Sipas të dhënave të paraqitura: – Procedura disiplinore është zhvilluar jashtë afateve ligjore, duke e bërë atë juridikisht të pavlefshme.
– Vendimi është marrë pa prova të mjaftueshme dhe pa përcaktim të përgjegjësisë individuale. – Ka indikacione serioze për ndërtim të mëvonshëm të argumenteve dhe justifikimeve për një vendim tashmë të marrë. – Masa e shqiptuar, ndërprerja e marrëdhënies së punës,është joproporcionale në raport me pretendimet. Këto janë indikatorë të një modeli të rrezikshëm të vendimmarrjes. Kur një ministër merr vendime të tilla: – pa respektuar afatet ligjore, – pa prova të qëndrueshme, – dhe me pasoja ekstreme për qytetarët, atëherë kemi të bëjmë me me arbitraritet. Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon: – Publikimin e plotë të të gjitha procedurave dhe vendimeve që kanë çuar në këto largime. – Hetim institucional për respektimin e procedurave ligjore në këtë rast. – Rishqyrtim të menjëhershëm të vendimeve, në përputhje me ligjin dhe standardet e administratës publike”, thonë nga BDI.

adv

“Dardanët” drejt Bratisllavës me moral të lartë para ndeshjes me Sllovakinë

0

Kosova zhvillon sot stërvitjen e fundit para nisjes drejt Sllovakisë, në kuadër të përgatitjeve për gjysmëfinalen e “play-off”-it për Kupën e Botës 2026.

Pas një atmosfere shumë pozitive në seancat paraprake, futbollistët kanë treguar përkushtim maksimal dhe disiplinë në zbatimin e detyrave taktike të përzgjedhësit Franco Foda, duke rritur optimizmin brenda skuadrës para sfidës vendimtare.

Seanca përmbyllëse do të mbahet në orën 11:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Ndërsa menjëherë pas saj ekipi do të udhëtojë drejt Bratisllavës, ku të enjten do të përballet me Sllovakinë.

adv

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

0

Moti sot me vranësira të ndryshueshme dhe me periudha më të gjata me diell. Do të fryjë erë e dobët deri në mesatare, kryesisht nga veriu. Temperatura minimale do të jetë në intervalin -3 deri në 5 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë nga 13 deri në 19 gradë.

Në Shkup moti do të jetë vranësira të ndryshueshme me periudha me diell. Do të fryjë erë e dobët deri në mesatare nga veriu. Temperatura minimale do të ulet në 3 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë në 19 gradë.

adv