25.8 C
Skopje
E premte, 2 Qershor, 2023

Përmes lojërave të fatit sakrifikohet fati i qytetarëve!

Maqedonia e Veriut është i njohur si vend i çudirave dhe trazirave, prandaj nuk është për çudi që edhe dukuritë më negative të shoqërisë shndërrohen në shpresë për shoqërinë. Bixhozi dhe fajdexhinjtë legal nuk është se janë shtuar sepse kanë ekzistuar edhe më herët, por tani klientët e tyre janë shumëfishuar. Duke pas parasysh krizën me të cilën po përballet vendi, ku gjitha çmimet janë ngritur në piedestal shumë qytetarë në mungesë të zgjidhjeve tjera, zgjedhin të aktivizohen në vendet më destruktive të shoqërisë. Bixhozi nuk shkatërron vetëm personin që ekspozohet në këto vende denigruese, por shkatërrimi është një zinxhir që hallkat tjera dëmtohen edhe më shumë, si familja e shoqëria. Fajdexhinjtë legal po mashtrojnë në mënyrë publike me parullat për ndihmë e lehtësim për vetëm pesë minuta po shkatërrojnë e fundosin qytetarë me vite të tëra. Prandaj, kazinot vazhdojnë të mbesin si vendet në të cilat ata që fitojnë humbasin më shumë, për faktin se pastaj vazhdojnë të frekuentojnë vendet e njëjta, ndërkaq ata që humbin janë fitues sepse dëshpërohen dhe nuk kanë se çfarë të humbnin më shumë largohen nga këto vende famëkeqe që shkatërrojnë boshtin familjar deri në palcë, shkruan Zhurnal.

Lojërat e fatit luajnë me fatin e qytetarëve

Ndjenjat kundër kazinosë në qytete nuk janë një fenomen i ri. Shumë individë dhe grupe kanë ngritur shqetësime për efektet negative të kazinove në shoqëri, veçanërisht në zonat urbane. Këtu janë disa nga argumentet kundër kazinove në qytete:

Një nga shqetësimet më të rëndësishme në lidhje me kazinotë është potenciali i tyre për të nxitur varësinë dhe problemet e lojërave të fatit. Kazinotë mund të krijojnë shumë varësi dhe studimet kanë treguar se individët që luajnë në kazino kanë më shumë gjasa të zhvillojnë probleme të lojërave të fatit. Kjo mund të çojë në një mori problemesh, duke përfshirë problemet financiare, problemet familjare dhe marrëdhëniet, madje edhe çështje të shëndetit mendor.

“Çdo mëngjesë kur dal nga shtëpia për të shkuar në punë, shpesh më rikujtohen tragjeditë e rënda të qytetarëve që ndodhin nëpër këto objekete. Kishte një rast para 5 – 6 muajëve që e nxorën të vdekur nga kazinoja dhe më në fund e mbuluan këtë rast sikur ka vdekur jashtë. Unë do ta përmendi edhe një rast nga rinia, pasi që një fëmijë 13 vjeçar ka marr flori nga shtëpia në vlerë prej 10 mijë eurove dhe ka shkuar i ka harxhuar të gjitha në kazino, ndërsa rasti dytë lidhet me një OJQ në Shkup ku i biri i përfaqësuesit të kësaj shoqate i ka marr 3.500 euro, para që janë mbledhur si ndihmë për personat me nevoja të veçanta dhe i ka shpenzuar në kazino”, tha Jushi Emrullai, nga “Lëvizja Antibixhoz”.

Këto janë vetëm disa prej rrëfimeve të shumta të klientëve të lojërave të fatit të cilët janë rrëfyer tek “Lëvizja Antibixhoz” se në çfarë gjendje kanë përfunduar këta klient, të cilat në të shumtën e rasteve i kanë hyrë lojërave të fatit, disa nga kureshtja dhe argëtimi, e disa të tjerët për të fituar të ardhura të shpejta. Jushi Emrullahi tashmë tetë vitet e fundit është duke luftuar për ta parandaluar këtë dukuri negative që shkaktojnë lojërat e fatit që varfërojnë popullin, pasuri e humbur e cila kurrë nuk kthehet më. Sipas tij, grup mosha më e madhe e dhënë pas bixhozit dhe bastorëve në RMV aktualisht janë adoleshentët, respektivisht nxënësit e shkollave fillore, të mesme, studentët dhe qytetarët rreth 40 – tave.

Kazino në çdo cep të qyteteve –

Në vendin tonë nuk duhet ndonjë incizim me dron apo përdorimi i navigacioneve për të gjetur kazinotë dhe këto shitoret e parave sepse janë shpeshtuar aq shumë në lokacione që mund të gjesh në çdo cep e në secilin qytetet. Ekziston një shtrirje e gjithanshme dhe në lokacione shumë delikate e të rrezikshme për shoqërinë, posaçërisht për të rinjtë. Shembull, bastet dhe kazinotë hapen në lokacione përballë shkollave të mesme dhe kjo në mënyrë direkte u imponohet të rinjve duke qenë sa më tërheqës për ata.

Pothuajse në të njëjta lokacione po vendosen edhe “shitoret e parave” dhe me këtë ata po dëshmojnë se fokus grupet e tyre janë të rinjtë, sepse ata janë edhe në fazën ku kanë nevojë për para dhe janë prepotentë që të mashtrohen më lehtë. Por, viktima të kazinove dhe fajdexhinjve legal nuk janë vetëm të rinjtë, në këto vende janë të ekspozuar edhe të rriturit e të moshuarit, dhe kjo është tregues që kemi të bëjmë me një “virus” të dukshëm të prekshëm e që në mënyre manipulative infekton qytetarët.

Ligji për rregullimin e kazinove –

Ndërkaq, ligji për rregullimin e lojërave nëpër kazino dhe bastet sportive në Maqedoninë e Veriut ka shkaktuar debat të vazhdueshëm pro dhe kundër. Sektori civil por edhe parti politike propozojnë ndryshime në Ligjin për lojëra të fatit që është bllokuar në Parlament. Ky projektligj parashikon që biznese të tilla duhet të jenë të paktën 500 metra larg nga shkollat. Një propozim tjetër i partisë opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët, ka qenë që pikat e basteve dhe kazino të ketë vetëm nëpër hotele me 5 yje. Por, edhe përkundër këtyre propozimeve sërish nuk ka pasur ndonjë ndryshim eventual të lokacioneve të kazinove apo basteve.

Prandaj, nga kjo situatë e krijuar ku shumë qytetarë janë të manipuluar lirshëm mund të konstatojmë që fati i qytetarëve po varet nga lojrat e fatit, dhe shitoret e parave që në emër të ndihmës fundosin nevojtarët. /Zhurnal.mk

Të ngjajshme

Të fundit