12.8 C
Skopje
E enjte, 10 Tetor, 2024

Përzgjedhja e shefit të krimit të organizuar, sot merr vendim Këshilli i Prokurorëve Publik

Këshilli i Prokurorëve Publikë sot do të mbajë seancën e 67-të, në të cilën, siç është paralajmëruar, do të duhet të votojë për zgjedhjen e prokurorëve publikë në Prokurorinë Themelore Publike për Prokurorinë e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PThP NKOK), transmeton Portalb.mk.

Në seancë duhet të votohet për zgjedhjen e katër prokurorëve publikë në Prokurorinë Publike për krim të organizuar dhe korrupsion, pas shpalljes së publikuar në prill të këtij viti.

Ndër të tjera, në rendin e ditës të seancës së 67-të të Këshillit të Prokurorëve Publikë, do të jetë edhe miratimi i vendimit për formimin e Komisionit për zbatimin e votimit për zgjedhjen e Prokurorit Publik Themelor të PThP PNKOK.

Kjo është zgjedhja e parë e tillë e kreut të Prokurorisë për luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku në përputhje me nenin 66 të Ligjit të ri për Prokurorët Publik, Prokurori Publik Themelor i PNKOK zgjidhet nga Këshilli i prokurorëve publik pas votimit nga të gjithë prokurorët publikë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në shpallje janë regjistruar pesë kandidatë, ndërsa votimi do të jetë më 7 nëntor.

Këshilli i Prokurorisë Publike në afat prej shtatë ditësh pas votimit duhet të mbajë seancë në të cilën do të vendosë për emërimin e prokurorit publik që ka marrë më së shumti vota nga lista e kandidatëve të regjistruar.

Mandati, shefes së pezulluar PNKOK Vilma Ruskovska i skadon më 14 nëntor, ndërsa prokurori Trajçe Pelivanov më 29 gusht u emërua zëvendësues i  përkohshëm i saj.

Prokurori publik për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit zgjidhet për një periudhë katërvjeçare, nga radhët e prokurorëve publikë të zgjedhur me të drejtë rizgjedhjeje.

Pesë aplikimet që janë dorëzuar në shpalljen për zgjedhjen e kreut të PNKOK janë nga kryetarja paraprake Vilma Ruskovska, kolegu i saj nga PNKOK, Engjëllusha Kadriu Leshi, prokurori i Shkupit Erman Neziri, si dhe dy prokurorë nga Gostivari, Islam Abazi, dhe Desa Paunovska.

Edhe pse vlerësimet kanë qenë të ngadalta në periudhën e kaluar, Këshilli pret që brenda një jave të marrin vlerësimet e aplikantëve dhe të mund të mbajnë seancë ku do të përcaktohet lista zyrtare e kandidatëve për kryetar të ardhshëm të Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Zgjedhjet duhet të mbahen më 7 nëntor dhe votimi në atë ditë pritet të bëhet në hapësirat e shtetit dhe në katër prokuroritë më të larta në vend (Manastir, Gostivar, Shkup dhe Shtip).

Pas ditës së votimit, Këshilli ka afat prej shtatë ditësh të emërojë kandidatin që ka fituar më shumë vota për kreun e ri të PNKOK.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, nuk do të ketë periudhë vakumi pasi mandati i Ruskovskës skadon më 14 nëntor.

Ruskovska, e cila kërkon mandat të ri, është suspenduar përkohësisht nga pozita e saj në bazë të vendimit të prokurorit publik Lubomir Joveski në mes të gushtit. Pezullimi i saj erdhi pasi ndaj saj nisi procedimi disiplinor dhe u bë kallëzim penal në lidhje me kontrollin e kryer në Drejtorinë e Policisë Financiare (DPF) më 18 korrik. Ruskovska ka parashtruar ankesë për suspendimin, por Këshilli i Prokurorëve Publikë e ka refuzuar si të pabazë, përkatësisht e ka konfirmuar pezullimin. Për këtë rast kallëzim penal ka bërë edhe ish-drejtori i DPF-së, ndërsa Ruskovska ishte planifikuar të dëshmonte javën e kaluar. Sipas deklaratës së saj, ai rast tashmë është nën hetim dhe ajo po trajtohet si e dyshuar.

Hetim po zhvillohet në Prokurorinë Publike të Shkupit, prej nga vjen njëri nga pesë personat e tjerë të paraqitur si pasardhës i saj, Erman Neziri. Ai është zëvendësi aktual i kreut të Prokurorisë së Shkupit, Gavril Bubevski.

Prokurorja Kadriu-Lleshi, nga ana tjetër, prej kohësh është pjesë e ekipit në Prokurorinë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në mars të këtij viti, Këshilli i Prokurorëve Publikë e rizgjodhi atë dhe katër kolegë të saj për një mandat të ri në këtë prokurori.

Abazi, nga ana tjetër, vjen nga Prokuroria e Lartë në Gostivar, ku u zgjodh kryetar në vitin 2018, kur Ruskovska u vendos në krye të PNKOK. Nga atje vjen edhe Desa Paunovska, e cila paraprakisht ishte anëtare e Këshillit të Prokurorëve Publikë.

 

Burimi: portalb.mk

Të ngjajshme

Të fundit