Më 8 prill, në orën 03:31 të mëngjesit, në Stacionin Policor të Shkupit është raportuar për një incident të ndodhur pranë një kazinoje në rajonin e Çairit. Sipas njoftimit zyrtar nga SPB Shkup, dy persona ende të paidentifikuar kanë hedhur një shishe me lëng të ndezshëm përpara hyrjes së objektit ku operon kazinoja, informon POPULLI.mk
Pas reagimit të shpejtë të punonjësve të sigurimit të objektit, zjarri është shuar menjëherë dhe nuk është lejuar të përhapet më tej. Si pasojë e incidentit nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale thuhet të jenë minimale.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur motivet e këtij sulmi të dyshuar, si dhe për të identifikuar dhe kapur autorët. Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se po ndërmerren masa intensive operative-hetimore, përfshirë edhe shqyrtimin e kamerave të sigurisë në zonë.
Ky është një tjetër rast që ngre shqetësime për sigurinë në hapësirat e lojërave të fatit në vend, veçanërisht në zonat urbane të dendura si Çairi. / © POPULLI.mk




