6.8 C
Skopje
E premte, 6 Dhjetor, 2024

“Presidenti”, të gjitha partitë pas kësaj pozite

Meqë vitin që kemi hyrë është vit i zgjedhjeve kuptohet vetvetiu që ngjarjet do të jenë interesante dhe intensive. Më 8 maj do të mbahen zgjedhjet e përbashkëta ato parlamentare dhe raundi i dytë i atyre presidenciale. Por, deri në këto momente është kuptuar që gara dhe beteja po zhvillohet për zgjedhjet presidenciale, pasi fokusi kryesor është te pozita e presidentit. Kjo kuptohet nga fakti që secila parti po dëshiron të nxjerrë një kandidat, për dallim prej zgjedhjeve të kaluara që ka qenë praktikë një kandidat të përkrahet nga më shumë parti politike, apo siç njihet në fjalorin politik kandidat konsensual, i përbashkët. Deri tani janë zyrtarizuar dy kandidatë, Biljana Bankovska nga e Majta, Velo Markovski si i pavarur dhe Arben Taravari nga opozita e bashkuar shqiptare, VLEN. Ditëve në vijim priten edhe emrat tjerë nga VMRO, BDI dhe LSDM, shkruan Zhurnal.

Të gjitha partitë preferojnë të kenë kandidatin e vet për president –

Sipas të gjitha gjasave BDI dhe LSDM nuk do të dalin me kandidat të përbashkët konsensual për president, edhe pse fillimisht kështu ishte paralajmëruar. Këtë fuqishëm e dëshironte mbi të gjitha LSDM, mirëpo për shkak rrethanave politike, si duket BDI ka ndryshuar mendje dhe do të del me kandidat të vet. Kreu I LSDM-së Dimitar Kovaçevski, thotë se do të kenë kandidat të mbështetur nga të gjitha partitë e koalicionit, e për atë nëse do ta gëzojnë edhe përkrahjen e BDI-së, thotë se duhet të përgjigjet vet BDI-ja.

“Kandidati ynë për president do të jetë kandidat i mbështetur nga partitë politike progresive të cilat kanë qenë me ne në koalicion, të cilat janë me ne në koalicion dhe që do të jenë në zgjedhjet e ardhshme në koalicion e me të cilët vetëm kemi filluar bisedime për pjesëmarrje konkrete në zgjedhje. BDI ka opsion ose të mbështesë kandidatin për president të cilin ne do ta propozojmë apo do të kenë kandidat të tyre për president, ky është vendim i BDI-së dhe jo vendim i yni”, tha Dimitar Kovaçevski, kryetar i LSDM-së, në konferencë për media.

Nga ana tjetër lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, tha që përderisa u politizua çështja e kandidaturës për president, tani edhe BDI do të propozojë një kandidat.

“Sigurisht që edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, përderisa u politizua kandidatura për president, edhe BDI do të ketë kandidatin e vet”, tha Ali Ahmeti, në paraqitje për media.

Kush janë kandidatë e deritanishëm për president?

Opozita shqiptare vetëm se e ka bërë publike kandidatin e tyre për president, Arben Taravarin. Ky i fundit në kongresin e së premtes që lamë pas, tha që do ta dëshironte Ahmetin për kundërkandidat.

“Z.Ahmetin do kisha dashur realisht ta kem kundërkandidat” tha Taravari, në paraqitjen e tij të parë pasi zyrtarizoi kandidaturën e tij për president.

Përndryshe, kandidatët për president priten të publikohet edhe nga VMRO-DPMNE, LSDM dhe BDI. Kreu i VMRO-së pati thënë se në parti po diskutohen tre kandidatë potencial por shpallja është ende e hapur.

Deri në këto momente emrat që dihen dhe janë publik e kandidatura të zyrtarizuara janë, Arben Taravari nga blloku opozitar shqiptar, Biljana Vankovska nga e Majta dhe Velo Markovski si i pavarur.

A është koha për president shqiptar?

Në zgjedhjet e fundit presidenciale ato të vitit 2019 shqiptarëve nuk u mungoi kandidati, por kandidatit i munguan të gjithë shqiptarët. Në garë ishte futur Blerim Reka si kandidat i përbashkët i opozitës por që atë kohë opozita nuk ishte e konsoliduar në këtë format.

Nga ana tjetër, partia në pushtet BDI kishte vendosur për kandidat konsensual, Stevo Pendarovskin, të propozuar nga LSDM. Pra, BDI nëpër çdo degë e nëndegë të tyre promovonin kandidat të përshtatshëm dhe ideal për vendin, Stevo Pendarovskin. Pra, edhe pse kishte kandidat shqiptarë BDI bënte apel që të votohej kandidati maqedonas. Nën arsyetimin se tani është koha për president shqiptar.

Por, menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale BDI doli me idenë e kryeministrit të parë shqiptar, me sloganin “pse jo?”. Dhe, nga kandidati për kryeministër ranë dakord me LSDM-në që në 100 ditëshin e fundit të Qeverisjes me vendin të ketë një kryeministër shqiptar që udhëheq me qeverinë teknike. Dhe, ndodhi pikërisht kështu.

Duke marrë parasysh kushtet dhe rrethanat në të cilat jemi është koha dhe nuk ka kurrfarë pengese që në krye të vendit të ketë një president shqiptar. Sepse, edhe ashtu vetëm pozita e presidentit ka mbetur e pa prekur dhe e pa arritshme për shqiptarët. Shqiptarët ndër vite kanë pasur mjaftueshëm kandidatë për president, por nuk ka pasur përkrahje të mjaftueshme.

Kandidatura e Arben Taravarit nga prizmi analitik shihet si serioze dhe e qëlluar në këtë kohë të mjegulluar. Taravari në karrierën e tij ka qenë në shërbim të qytetarëve pa kurrfarë dallime pikërisht ashtu siç e kërkon edhe vet pozita e presidentit. Njëherë si mjek e neurolog me renome brenda dhe jashtë vendit, e më pastaj edhe si profesor universitar e deri te kyçja e tij aktive në politikë.

Ai vazhdoi tutje shërbimin e tij për të gjithë qytetarët duke marr edhe postin e ministrit të Shëndetësisë, nga ku qytetarët kishin qasje 24/7 të kontaktonin pyesin  e të kërkonin ndihmë prej tij. Pastaj vazhdoi në krye të Gostivarit për dy mandate të plota. Dhe, kjo e bënë figurën e tij të përshtatshme për të qenë në pozitën e të parit të shtetit. Pra, përgatitja e tij profesionale, virtytet njerëzore janë dy komponentët kryesorë që e karakterizojnë, Taravarin. /Zhurnal.mk

Të ngjajshme

Të fundit