Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka festuar anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke thënë se ky është hap i rëndësishëm për sigurinë.
Ajo ka shkruar në rrjetin social X se këtë ditë historike për Suedinë e ka festuar me miq dhe aleatë të tjerë.
“Ky hap i rëndësishëm përpara forcon jo vetëm sigurinë e Suedisë, por edhe strukturën e paqes dhe të sigurisë evropiane”, ka shkruar Osmani.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Suedinë, duke thënë se “një NATO e fortë nënkupton një Evropë më të sigurt”.
Ai ka shkruar në X se ky është shans i madh për paqe pas agresionit rus në Ukrainë.
“Mezi presim t’i mirëpresim ushtarët e parë suedezë të KFOR-it në Kosovë për të ndihmuar në mbrojtjen e kufirit tonë kundër agresionit të Serbisë”, është shprehur Kurti.
Suedinë e ka uruar edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla.
Ajo e ka quajtur lajm historik anëtarësimin, duke e uruar homologun e saj suedez, Tobias Billstrom.
Gërvalla ka shkruar në rrjetin social X se anëtarësimi është lajm i jashtëzakonshëm për Evropën dhe “arkitekturën e sigurisë së kontinentit tonë”.
“Pranimi i Suedisë në Aleancën e NATO-s është lajm jashtëzakonisht pozitiv për Evropën dhe arkitekturën e sigurisë së kontinentit tonë”, ka shkruar ajo.
© KOHA.
