13.8 C
Skopje
E premte, 19 Prill, 2024

QËNDRA EUROPIANE E GJUHËVE MODERNE DHE AZGJ-JA AVANCOJNË BASHKËPUNIMIN

QËNDRA EUROPIANE E GJUHËVE MODERNE DHE AZGJ-JA AVANCOJNË BASHKËPUNIMIN

“Ndërtimi i edukimit shumëgjuhësh dhe ndërkulturor për demokracitë e shekullit të 21-të”. Është tema e leksioneve që Profesoresha Andrea Jang dha për përkthyesit, lektorët dhe gjuhëtarët e tjerë, të ftuar nga Agjencia e Zbatimit të Gjuhës e RMV-së. Profesoresha Andrea Jang është ligjëruese në Universitetin e Strasburgut në Fakultetin e Edukimit dhe mësimit gjatë gjithë jetës, ku ka një biografi të pasur në teorinë e gjuhësisë.

Drejtori i AZGj-së, Ardian Musliu, para se të fillonte aktiviteti, duke i dorëzuar zonjës Jang, një paketë me libra nga botimet studimore të AZGj-së theksoi: “Është nder dhe kënaqësi që pranuat ftesën e Agjencisë për të qenë pjesë e aktivitetit të organizuar në bashkëpunim me Qendrën Europiane të Gjuhëve Moderne në Grac të Republikës së Austrisë. Si një person që vij drejtpërdrejt nga sektori i arsimit dhe përvojës shumëvjeçare me studentët, është kënaqësi e veçantë që në ngjarjen e sotme, të trajtojmë me gjuhëtarët tanë, pikërisht temën e shumëgjuhësisë shumëkulturore në kontekstin e të sotmes”.

Koordinatori i projektit, Llazo Matovski, në lidhje me bashkëpunimin e AZGj-së me QEGjM-në, informoi: “Bashkëpunimi filloi një vit më parë, kur pas një thirrjeje publike ndërkombëtare nga qendra në fjalë, një delegacion i AZGj-së e vizitoi këtë institucion, i cili funksionon në kuadër të Këshillit të Europës. Më pas AZGj-ja aplikoi me projektin e saj, projekt që ka si përmbajtje qasjet pluraliste ndaj gjuhëve dhe kulturave”. Leksionet e profesoreshës Andrea Jang, u përqendruan te konceptet, çështjet, si dhe sfidat kryesore, referuar edukimit shumëgjuhësor e ndërkulturor për kulturën demokratike.

Në ligjërata përveç gjuhëtarëve të AZGj-së, morën pjesë edhe përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, Inspektorati Shtetëror i Arsimit, Qendra e Edukimit Profesional, si edhe ligjërues të gjuhës nga institucione të ndryshme arsimore. Agjencia e falënderon Qendrën Europiane të Gjuhëve Moderne për bashkëpunimin e deritanishëm, duke qenë e hapur edhe për projekte të reja në të ardhmen.

Shkup, 22.5.2023

 

Të ngjajshme

Të fundit