Lëvizja POPULLI reagon ashpër ndaj skandalit të radhës të Qeverisë monoetnike – kërkesës së Ministrisë së Kulturës për marrjen e pronës së BFI-së në Çarshinë e Shkupit.
Prona e Bashkësisë Fetare Islame është dhuruar nga besimtarët muslimanë dhe është grumbulluar për shekuj me radhë nën institucionin pronësor Vakëf. Fatkeqësisht, para dhe gjatë komunizmit, Vakëfi ishte prona më e uzurpuar nga qeveritë e atëhershme.
Me ardhjen e sistemit pluralist, filloi edhe privatizimi apo rikthimi i pronave të uzurpuara pronarëve të tyre të vërtetë. Fatkeqësisht, ashtu si shumicës jomaqedonase, edhe BFI-së iu kthye shumë pak nga prona e saj dhe madje me shumë vonesë.
Pikërisht prona e rikthyer me të drejtë BFI-së para disa vitesh, sot është në shënjestër të Ministrisë së Kulturës, e cila ka ngritur kërkesë për marrjen e tre objekteve në Çarshinë e Shkupit – objekte të cilat tashmë janë rikthyer ligjërisht te BFI-ja. Ky veprim përbën shkelje të rëndë të së drejtës së pronës, të njohur jo vetëm nga ligjet e vendit, por edhe nga konventat ndërkombëtare. Për më tepër, ky akt thellon ndasitë ndëretnike dhe ndërfetare.
Kërkojmë urgjentisht që:
• Ministria e Kulturës, respektivisht Qeveria, të tërheqë këtë kërkesë.
• Avokati i Shtetit të refuzojë këtë kërkesë ose, në të kundërtën, të japë dorëheqje.
• Faktori ndërkombëtar të ndërhyjë në këtë shkelje të së drejtës së pronës, pasi ky akt rrezikon të rrënojë edhe më tej bashkëjetesën tashmë të brishtë në vend.