Marrëveshja për ndërtimin e qendrës pritëse të emigrantëve në Shqipëri vazhdon të jetë një debat i ethshëm në Italinë fqinje.
Kureshtja e publikut atje është e madhe, e kryeministri Edi Rama sqaroi detaje të saj në një tjetër intervistë, këtë radhë për prestigjiozen Corriere della Sera.
“Marrëveshja parashikon që emigrantët do të priten në qendrën e pritjes me qëllimin e vetëm të kryerjes së procedurave kufitare apo të riatdhesimit, të parashikuara nga legjislacioni italian dhe europian dhe për kohën e nevojshme. Në rast se nuk ka më të drejtën e qëndrimit në struktura, Italia i transferon menjëherë emigrantët nga territori shqiptar” u shpreh ai duke iu përgjigjur pyetjes nëse emigrantët mund të qëndrojnë në Shqipëri deri në 18 muaj.
Rama shpjegoi se nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë se mos në mesin e tyre mund të ketë edhe terroristë, pasi ata do të kontrollohen nga agjencitë e sigurisë të të dy vendeve. Ai shtoi se nuk ka asnjë kërkesë të ngjashme nga vende të tjera europiane, e shpjegoi se dhënia OK e Romës lidhet vetëm me faktin që siç tha kryeministri, “Italisë i kemi një borxh mirënjohjeje që nuk do të mund ta shlyejmë kurrë, por që nuk duhet ta harrojmë kurrë. Trajtimi i i kërkesave për azil do të jetë 100% përgjegjësi e palës italiane, në çdo aspekt”, nënvizoi kreu i ekzekutivit. Rama shtoi se marrëveshja do të ratifikohet nga Parlamenti në javët në vijim.
Burimi Top Channel