7.8 C
Skopje
E hënë, 4 Nëntor, 2024

Rritet numri i të rinjve që ikin nga vendi edhe për të studiuar

Një ndër arsyet pse të rinjtë largohen nga vendi është edhe për arsim më cilësor. Naser Veliu aktualisht student në Londër është një nga të shumtët që është larguar, ai është vetëm 19 vjeçar. Ai tha për Alsat se është detyruar të largohet nga vendi në kërkim të një arsimi më cilësor.

“Ka dy arsye primare, e para është për shkak se shteti ynë nuk na jep arsim efikas dhe të barabartë. Ne jemi të detyruar të largohemi nga shteti jonë, arsyeja e dytë e cila është edhe më valide është sepse neve na hapen dyer të ndryshme në nivel ndërkombëtar nëse ne i ndjekim studimet jashtë shtetit”, tha Naser Veliu, student.

Ai përmendi disa nga dukuritë që sipas tij, janë aktuale në vend dhe po shkatërrojnë sistemin arsimor.

“Do kisha dashur të eliminoj nepotizmin nëpër punësimet në institucionet shkollore, do kisha dashur që çdokush që është i punësuar në institucion arsimor të ishte i punësuar në bazë të meritave dhe gjëja e dytë që do kisha dashur ta heq nga ai sistem është gjykimi duke marrë parasysh backgroundeve të ndryshme”, u shpreh Naser Veliu, student.

Pikërisht për këtë, sot u organizua debat me temë Politikat rinore – nevojat, mundësitë dhe sfidat ku mori pjesë edhe zëvendëskryeministrja përgjegjëse për qeverisje të mirë, Sllavica Gërgovska e cila u shpreh e shqetësuar për numrin e të rinjve që po largohen

“Unë jam seriozisht e shqetësuar për këtë gjendje, duke pasur parasysh se sipas aktiviteteve që i këna realizuar deri tani tregojnë që nuk ka tendencë që ky proces të zvogëlohet por përkundrazi. Në të njëjtën kohë ne nuk dorëzohemi nga synimi që kushtet në shtetin tonë t’i përmirësojmë deri në atë pikë që do lejojë që një pjesë e madhe e të rinjve të vendosin të qëndrojnë këtu”, theksoi Sllavica Gërgovska, zëvendëskryeministre për qeverisje të mire.

Gërgkovska premtoi që po punojnë në atë drejtim që të rinjve të ua kthejnë besimin se edhe në Maqedoninë e Veriut mund të jetohet me dinjitet. Ndryshe, papunësia e të rinjve në vend është mbi 30 për qind, kjo është përmendur si çështje problematike edhe në raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian.

Të ngjajshme

Të fundit