Sezoni turistik në qytetin e Strugës këtë vit filloi që nga muaji maj, ndërsa këto ditë po përjeton kulmin e tij. Ardhja e mërgimtarëve, eventet e ndryshme kulturore si dhe lëvizja e shumtë e turistëve vendas, por edhe të huaj kanë mbushur sheshet dhe plazhet e qytetit. Hotelierët thonë se janë të kënaqur se si sezoni veror po shkon. Thonë se nga viti në vit po bëhet edhe më mirë. Hotelierët thonë se duhet të ketë më shumë organizime, me qëllim që të tërheqin më shumë turistë.
“Sa u përket turistëve dhe të dhënave statistikore, vitin e kaluar ka pasur mjaft turistë të huaj përkatësisht nga Turqia, mandej nga Shqipëria, Kosova, kemi pasur edhe izraelit, gjerman dhe të tjerë, kemi pasur edhe turistë vendor që vijnë nga vendet tjera dhe vendosen në Strugë. Këto manifestime duhet të jenë në numër shumë më të lartë, me qëllim që të tërheqin më shumë turistë në vendin tonë, siç u pa edhe mbrëmë, qyteti ishte plot me turistë vendor dhe të jashtëm.”, – theksoi hotelieri, Robert Dauti.
Edhe pse sezoni turistik po shkon mjaft mirë, sektori i hotelerisë në verë gjithnjë e më shumë përballet me mungesë të punëtorëve, të cilët gjatë muajve korrik dhe gusht largohen drejt vendeve të Evropës. Megjithatë, ndryshe nga Ohri, ku një pjesë e madhe e hoteleve tashmë kanë punësuar punonjës nga vendet tjera, në Strugë pothuajse të gjitha hotelet po punojnë me punëtorë lokal, kryesisht të moshave të reja.
“Ka mungesë të punëtorëve, por mundohemi që edhe vet të angazhohemi që të ecë puna ashtu siç duhet, por ka mungesë të punëtorëve. Ende po punojmë me punëtorë lokal, por nëse vijnë do t’i pranojmë edhe ato, nuk është problem.”, – u shpreh hotelieri, Robert Dauti.
Muaji korrik dhe gusht janë kulmi i sezonit veror në Strugë, për shkak se janë të shumtë mërgimtarët të cilët vizitojnë vendlindjen në këtë periudhë. Megjithatë, sezoni turistik vazhdon edhe në shtator, kryesisht me turistë të huaj dhe vendas. Sipas hotelierëve këtë vit pritet që sezoni veror të jetë më i miri i 10 viteve të fundit.
