Aleanca për Shqiptarët, krahu i udhëhequr nga Arben Taravari, ka vendosur që në zgjedhjet lokale të garojë e vetme me listat për këshilltarë komunalë. Vendimi vjen pas pakënaqësive të theksuara ndaj partnerëve të koalicionit VLEN, informon POPULLI.mk
Para mbledhjes së kryesisë partiake mbrëmjen e djeshme, deputeti Halil Snopçe u shpreh qartë për mospajtimet brenda koalicionit. Ai tha se Aleanca nuk është përfshirë në konsultimet për shpërndarjen e posteve të kryetarëve dhe këshilltarëve, dhe se propozimet e tyre janë refuzuar plotësisht.
“Të gjitha propozimet që i kemi dhënë ne zyrtarisht, edhe pse në media nuk i kemi bërë publike, pasi kishim vendosur të jenë të fshehta, nuk janë miratuar nga ana e tyre”, deklaroi Snopçe.
Ky zhvillim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në konfigurimin e forcave politike në zgjedhjet lokale, ndërsa përplasjet brenda kampit shqiptar në pozitë, mund të dobësojnë përpjekjet për një përfaqësim të bashkuar në nivel lokal. / © POPULLI.mk