Zëvendëskryeministri i parë, ka përkujtuar ditëlindjen e heroit të kombit, Ismet Jashari – Komandant Kumanova, duke e cilësuar si simbol të qëndresës dhe dashurisë së pashuar për atdheun, informon POPULLI.mk
“Biri i Kumanovës erdhi në tokën e Dardanisë, pa i lëvizur asnjë fije çerpiku e dha jetën për Kosovën, të cilën e kishte ideal e dashuri të zjarrtë”, shkruan Mexhiti në postimin e tij.
Ai kujtoi se, ndonëse jetonte në Zvicrën e begatë, Ismet Jashari nuk hezitoi të vihej në shërbim të çlirimit të Kosovës, i frymëzuar nga rrëfimet e burrave të legjendave të Karadakut. Sipas tij, Komandant Kumanova ishte i palëkundur si malet që i përkisnin dhe qëndroi deri në frymën e fundit, i vendosur si kullat shqiptare.
“Komandant Kumanova ishte ylli polar në panteonin e dëshmorëve të UÇK-së e të kombit tonë. Heroizimi i tij është dritë udhëzuese e horizontçelëse, një kumt i përditshëm për të mos u ndalur dhe për të punuar për realizimin e idealeve të dëshmorëve”, thekson Mexhiti.
Në përfundim, ai nënvizon se, edhe pse fizikisht mungon, Ismet Jashari jeton përjetësisht në ndërgjegjen dhe shpirtin e kombit shqiptar. “Dëshmorët kanë vetëm ditëlindje”, përfundon ai. / © POPULLI.mk