17.8 C
Skopje
E hënë, 21 Prill, 2025

A mund ta reformojë Shqipërinë një “non grata” si Sali Berisha ?!

Në një vend ku kujtesa kolektive shpesh duket se funksionon me butonin “reset”, Shqipëria ndodhet sërish përballë një pyetje thelbësore për të ardhmen e saj politike; A është gati të rikthejë në pushtet një figurë si Sali Berisha?

Shkruan Elon LATIFI

Prezent në politikën shqiptare që nga viti i largët 1992, Berisha është një nga figurat më të vjetra dhe më të debatuara të tranzicionit post-komunist. Ka mbajtur dy nga postet më të larta të shtetit – President i Republikës dhe më pas Kryeministër për dy mandate. Një karrierë e gjatë, por jo pa hije. Përkundrazi, ajo është e ngarkuar me akuza, konflikte, skandale dhe pasoja të rënda për vendin.

Berisha është shpallur “non grata” nga aleati më i madh i Shqipërisë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është rrallë në historinë e kombeve që një lider politik shpallet i padëshiruar nga një fuqi globale, për korrupsion madhor dhe për minimin e demokracisë. Por kjo nuk e ka ndalur as për një sekondë ambicien e tij për t’u rikthyer. Madje, për ironi të fatit, duket se ndëshkimi ndërkombëtar e ka ushqyer edhe më shumë lakminë e tij për pushtet.

Akuzat që rëndojnë mbi të janë të rënda: përfshirje në krime të pazbardhura, lidhje të errëta me klane të dhunshme, përfshirë edhe vrasjet që lidhen me familjen Haklaj – një plagë ende e pambyllur për drejtësinë dhe shoqërinë shqiptare. Për më tepër, njollosja nuk ndalet vetëm tek ai – është një familje e tërë që ndodhet nën lupën e drejtësisë shqiptare dhe ndërkombëtare.

Por Berisha sot, në mënyrë të pabesueshme, kërkon përsëri të rikthehet në pushtet. Një rikthim që më shumë se ambicie politike, ngjan me një betejë personale për hakmarrje, për “pastrim” nga historia dhe për rehabilitim me çdo kusht. Një doktor që dikur u edukua për të shpëtuar jetë, tashmë duket se është kapur nga etja për të sunduar pafundësisht, si një figurë e dalë nga realitetet autoritare të shekullit të kaluar.

Por a e lejon realiteti shqiptar këtë rikthim?

Përballë tij ndodhet një “përbindësh politik”, siç e quajnë shumë – Edi Rama. Një strateg i pamëshirshëm i pushtetit, që ka ndërtuar një sistem të centralizuar dhe të fuqishëm në çdo qelizë të shtetit. Një sfidë që kërkon jo vetëm kurajo, por edhe një pastërti morale dhe politike që Berisha, fatkeqësisht, nuk e ka.

Rikthimi i tij në pushtet duket më shumë si një përpjekje për të provuar se ende ekziston, sesa një plan serioz për të udhëhequr vendin drejt një të ardhme më të mirë.

Shqipëria ka nevojë për shpresë, për një brez të ri politikanësh që nuk vijnë as nga zyra e Bllokut, e as nga bunkeri i tranzicionit. Ajo që i duhet sot Shqipërisë nuk është kthimi i së shkuarës, por një e ardhme që ngrihet mbi vlerat e lirisë, drejtësisë dhe dinjitetit qytetar.

Prandaj, pyetja nuk është vetëm nëse Shqipëria është gati të rikthejë Sali Berishën në pushtet – por nëse shqiptarët janë gati të çlirohen nga hija e së kaluarës që s’po ikën kurrë!

Të ngjajshme

Të fundit