Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, për të diskutuar fundin e luftës në Ukrainë, ka raportuar New York Post të shtunën vonë.
Në një intervistë në bordin e Air Force One të premten, Trumpi ka thënë se “më mirë të mos e thoshte”, kur është pyetur se sa herë kanë folur të dy udhëheqësit.
“Ai dëshiron që të mos shohë më njerëz duke vdekur”, ka thënë Trumpi për New York Post.
Në fund të janarit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Putini është gati të zhvillojë një telefonatë me Trumpin dhe se Moska po pret një shenjë nga Washingtoni se edhe ai është gati.
Të premten, Trumpi ka thënë se ndoshta do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, javën e ardhshme për të diskutuar fundin e luftës.
Lufta, e cila filloi me pushtimin e plotë të Ukrainës nga Rusia, do të shënojë përvjetorin e saj të tretë më 24 shkurt. Mijëra njerëz, shumica dërrmuese e të cilëve ukrainas, janë vrarë gjatë konfliktit.
Trumpi i ka thënë Neë York Post se ai “ka pasur gjithmonë një marrëdhënie të mirë me Putinin” dhe se ai ka një plan konkret për t’i dhënë fund luftës. Por ai nuk ka bërë të ditur detaje të tjera.