7.8 C
Skopje
E enjte, 13 Shkurt, 2025

Virusi HMPV nuk mund të krahasohet me Covid-19, shumica prej nesh e kanë përjetuar atë

Pamjet e spitaleve të mbushura me njerëz në Kinë me pacientë të maskuar që qarkullojnë në mediat sociale javët e fundit kanë ngritur shqetësime për një pandemi të re. Autoritetet kineze kanë konfirmuar një rritje të infeksioneve me metapneumovirusin njerëzor (HMPV), një virus sezonal i ngjashëm me të ftohtin që shfaqet shpesh në dimër, raporton BBC.

Megjithëse rreziku është minimal, ekspertët këshillojnë masa paraprake standarde: mbajtja e maskave në vende të mbushura me njerëz, shmangia e turmave, larja e duarve rregullisht dhe vaksinimi kundër gripit.

Autoritetet shëndetësore maqedonase pajtohen se nuk ka vend për panik. “HMPV nuk është një virus i ri. Vdekshmëria është shumë e ulët, madje më e ulët se ajo e gripit dhe komplikimet janë jashtëzakonisht të rralla”, tha z. Zlate Mehmedovic, zëdhënës i Komisionit për Sëmundje Infektive.

Ai shtoi se nuk ka vaksinë për HMPV, por edhe se situata në Kinë është për shkak të rritjes sezonale të infeksioneve respiratore, që pritet për këtë periudhë të vitit.

Sipas ekspertëve, HMPV nuk mund të krahasohet me Covid-19. Ky virus është i njohur prej dekadash dhe pothuajse çdo fëmijë infektohet me të në moshën pesë vjeçare. Edhe pse më së shumti shkakton një infeksion të lehtë të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, mund të jetë i rrezikshëm për fëmijët shumë të vegjël dhe njerëzit me sistem imunitar të dobësuar.

“Tek më të pambrojturit, si të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, mund të shfaqen komplikime si inflamacion i mushkërive, vështirësi në frymëmarrje dhe dhimbje gjoksi. Por raste të tilla janë të rralla dhe të ngjashme me gripin sezonal”, thotë specialistja e sëmundjeve infektive Hsu Lee Yang.

HMPV transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë ose prekjes së sipërfaqeve të kontaminuara. Simptomat, të cilat përfshijnë kollën, temperaturën dhe hundën e mbytur, janë më të zakonshme në muajt e dimrit, me një kulm në fund të dimrit dhe në fillim të pranverës.

“Rritja aktuale e rasteve në Kinë është pjesë e një rritjeje tipike sezonale. Një trend i ngjashëm është vërejtur edhe në vende të tjera të hemisferës veriore, si Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe”, shpjegon Jacqueline Stevens, një epidemiologe nga Universiteti Flinders.

Ndryshe nga pandemitë, të cilat zakonisht shkaktohen nga viruse të reja, HMPV është i njohur dhe i pranishëm në mbarë botën. “Shumica e njerëzve tashmë kanë njëfarë imuniteti për shkak të ekspozimeve të mëparshme”, thotë Dr. Hsu.

Profesori Paul Hunter nga Universiteti i Anglisë Lindore shton se pothuajse të gjithë ne jemi infektuar me HMPV në moshën pesëvjeçare dhe ndoshta e kemi pasur atë disa herë në jetën tonë. “Nuk ka shenja të një problemi serioz global,” thekson ai.

Të ngjajshme

Të fundit