Me ftesë të eurodeputetëve, lehtësuesit e dialogut Zhan Mone, Andreas Shider, Marion Valsman dhe Ilhan Quçuk, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi së bashku me një grup më të madh të deputetëve dhe Shërbimit të Kuvendit, nga sot deri më 9 dhjetor 2023 do të marrë pjesë në Dialogun Zhan Mone 4 i cili do të zhvillohet në shtëpinë e arkitektit të Evropës së sotme dhe krijuesit të Deklaratës Shuman, Zhan Mone në Bazosh të Francës.
Në delegacion, krahas Xhaferit është edhe nënkryetari Hysni Ismaili, koordinatorët dhe zëvendës koordinatorët e grupeve parlamentare të LSDM-së, Jovan Mitreski dhe Dime Velkoski, të VMRO DPMNE-së, Nikolla Miceski dhe Dafina Stojanoska, koordinatori i BDI-së, Arbër Ademi dhe deputeti Arben Ziberi, nga Aleanca për Shqiptarët, koordinatori Atnan Neziri dhe deputeti Zijadin Sela, nga Alternativa, Safije Sadiki Shaini, nga Lëvizja BESA, deputeti Fadil Zendeli, dhe anëtarë të Grupit punues për pjesëmarrje në Dialogun Zhan Mone, përkatësisht, Sonja Mirakoska, deputete dhe bashkëkryesuese e Komitetit të Përzier Parlamentar Bashkimi Evropian-Republika e Maqedonisë së Veriut, Panço Minov, deputet dhe kryetar i Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit, Snezhana Kaleska Vançeva, deputete dhe Monika Zajkova, deputete e Koalicionit të LSDM-së.
Siç theksohet në kumteësën e Pres shërbimit të Kuvendit, në konferencë do të marrin pjesë ekspertë të jashtëm të ftuar nga Xhaferi, profesori universitar Jeton Shasivari dhe Zhane Gusheva, Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Cvetanka Ivanova dhe pjesë e shërbimit profesional të Kuvendit, si dhe anëtarë të Grupit punues për pjesëmarrje në Dialogun Zhan Mone.
Në Dialog, përveç tre euro deputetëve, lehtësuesit, Shider, Valsman dhe Quçuk, do të marrin pjesë edhe ish-eurodeputeti dhe lehtësuesi, Ivo Vajgël dhe drejtori i përgjithshëm për fqinjësi dhe negociata për zgjerim, Gert Jan Koopman, (DG NEAR).
Dialogu Zhan Mone 4. do të mundësojë shkëmbimin e mësimeve të nxjerra dhe praktikave më të mira nga zgjerimet e mëparshme të BE-së, me fokus në dimensionin transformues të këtij procesi dhe rolin e Kuvendit në të.
“Kryetari Xhaferi, pas takimit të përbashkët me euro deputetët, do të ketë fjalim hyrës në fillim të darkës së punës, në sesionin hyrës me temën: Pasqyrë e dialogëve dhe arritjeve të kaluara të Zhan Mone-së dhe në Sesionin II me temën: Shikimi përpara – roli i Kuvendit në procesin e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE”, thuhet në kumtesë.
