Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, prezantoi “Planin e Fitores” me pesë pika, fillimisht para udhëheqësve të Bashkimit Evropian (BE), pastaj para ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, duke thënë se nëse plani funksionon, lufta në Ukrainë mund të përfundojë vitin e ardhshëm. Dhe kjo, sipas tij, mund të ndikojë edhe në Ballkan.
“Kjo do të mbrojë jo vetëm Ukrainën, por edhe vendet baltike, vendet nordike, vendet ballkanike dhe rajone të tjera”, deklaroi Zelensky, transmetuan të enjten mediat rajonale. Gjithashtu, presidenti ukrainas u bëri thirrje liderëve perëndimorë që të punojnë së bashku për të ndalur luftën dhe për të siguruar kushtet për paqe.
Nga pesë pikat e “Planit të Fitores” të Zelenskyt, dy prej tyre vlerësohen vështirë të realizueshme. E para përcakton se Ukraina duhet të marrë ftesë për t’u anëtarësuar në NATO, ndërsa e dyta leje të posaçme për të përdorur armët perëndimore me rreze të gjatë në territorin e Rusisë. Liderët e BE-së dhe NATO-s s’e kanë hedhur poshtë planin.
Tri pikat e tjera të planit përfshijnë frenimin e Rusisë nëpërmjet një pakete parandaluese strategjike jobërthamore të vendosur në tokën ukrainase, mbrojtjen e përbashkët të burimeve kritike natyrore të Ukrainës dhe zëvendësimi i disa trupave amerikane, të stacionuara nëpër Evropë, me ushtarë ukrainas pas përfundimit të luftës.
“Ukraina është gati për diplomaci të vërtetë, por ne duhet të jemi të fortë. Një armëpushim i imponuar me dhunë në vend të një paqeje të drejtë nuk ka ofruar kurrë siguri”, theksoi ndër të tjera Zelensky, i cili shkoi në Bruksel të Belgjikës më 17 tetor për të prezantuar “Planit të Fitores” para liderëve të BE-së dhe atyre të NATO-s.
Ndryshe, situata e rënduar e sigurisë në Ballkanin Perëndimor nën dritën e kërcënimeve ruse dhe rrjedha e tensionuar në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të jenë në fokus të takimit të Ministrave të Mbrotjes të vendeve anëtare të NATO-s, të cilët janë mbledhur në selinë e aleancës për të diskutuar rreth sigurisë.
Burimi / Koha.mk