13.8 C
Skopje
E diel, 26 Prill, 2026

Rusia shtrinë ndikim në rajonin e Ballkanit Perëndimor përmes dezinformatave!

Ndikimi rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor është një rrezik që cenon paqen dhe sigurinë në rajon. Mbase, në Maqedoninë e Veriut përpjekje të tilla janë vërejtur shpesh herë, vetëm brenda një viti ishin dëbuar 11 diplomatë rus nga Shkupi, të cilin ishin të dyshimtë në kryerjen e funksionit të tyre e pikërisht gjatë kohës kur Maqedonia e Veriut kishte formuar ekipet negociatore për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë. Propaganda ruse më e sofistikuar është ajo mediatike, ku se fundmi kanë qarkulluar lajme se vullnetarë nga Maqedonia e Veriut kanë shprehur interesim për pjesëmarrje në luftën Rusi – Ukrainë, për ta ndihmuar Rusinë, e këtë e kanë kundërshtuar nga Maqedonia e Veriut duke e cilësuar si të pa vërtetë. Dezinformatat janë arma përmes të cilës Rusia tenton të shtrijë ndikimin e saj. Këtë e ka konfirmuar edhe Rubin nga departamenti amerikan, i cili gjatë një turi në vendet e Ballkanit Perëndimor tha se në qendër të vëmendjes së bisedimeve të tij do të jetë edhe lufta kundër dezinformatave ruse. Nga ana tjetër Parlamenti Evropian bënë thirrje për mbrojtje të Ballkanit Perëndimor nga ndikimi rus, shkruan Zhurnal.

James Rubin: dezinformatat ruse janë problem në Ballkanin Perëndimor –

I dërguari i posaçëm dhe koordinator i Qendrës për Angazhim Global të Departamentit Amerikan të Shtetit, James Rubin, në kuadrin e turneut të tij rajonal, të hënë ka vizituar Podgoricën, ndërsa këto ditë ka qëndruar në Shkup e më pas do të vizitojë edhe Tiranën. Në qendër të vëmendjes së bisedimeve të tij do të jetë lufta kundër dezinformatave ruse, si dhe dialogu Kosovë-Serbi, siç njofton kdp.

Me takimet në Podgoricë, Rubin filloi vizitën e tij në vendet e rajonit ku, siç ishte paralajmëruar më parë nga Departamenti i Shtetit, do të diskutojë për luftën kundër dezinformatave ruse. Ai u tha gazetarëve në kryeqytetin malazez se beson që lufta kundër dezinformatave do të jetë prioritet edhe i qeverisë së re të këtij vendi, që pritet të mbajë zgjedhje të parakohshme në muajin qershor.

“Për shembull, Rusia dhe Kina përsërisin se në Ukrainë ka fabrika të armëve biologjike, përkundër që është vërtetuar se kjo nuk është e vërtetë, ose se në një farë mënyre Shtetet e Bashkuara e donin këtë luftë, gjë që është gjithashtu e pakuptimtë”, – tha ai.

Pritet që kjo çështje, si dhe problemet që lidhen me procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në familjen evropiane, me theks të veçantë mbi  ndryshimet kushtetuese, të diskutohet edhe me bashkëbiseduesit e tij në Shkup.

Në Tiranë, ndërkaq, pos bisedimeve me krerët e shtetit shqiptar,  zyrtari i lartë amerikan do të marrë pjesë edhe në një takim me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor.

Në një intervistë për televizionin e pavarur serb N1, Rubin tha se “në Ballkanin Perëndimor ekziston problemi i dezinformatave ruse: Në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe anembanë rajonit”:

“Dua të punoj me qeveritë që duan të jenë pjesë e sistemit evropian dhe të jenë një botë ligjesh dhe rregullash ku respektohen parimet evropiane. Ne duam të përpiqemi të bëjmë gjithçka për të eliminuar  këtë ndotje të mjedisit mediatik,” – përcjell kdp.mk deklaratën e Rubinit për median serbe. James Rubin ishte ndihmës i Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright (1997-2000). dhe vjen në rajonin e Ballkanit Perëndimor për herë të parë pas 23 vitesh.

Parlamenti Evropian kërkon parandalim të ndikimit të Rusisë në Ballkan-

Ndikimi rus dhe dezinformatat e fabrikuara nga Rusia nuk janë vetëm shqetësim i SHBA-së pasi në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg muaj më parë është votuar Rezoluta për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian. Kjo rezolutë fokusin kryesor do ta ketë forcimin e rolit të BE-së në botë dhe përgjigjen që duhet dhënë në rrethanat e reja ndërkombëtare, pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Në disa pjesë të tekstit përmendet ndikimi negativ i Rusisë në rajonin e Ballkanit, me synim të destabilizimit të rajonit, dhe bëhet thirrje që të parandalohet ky ndikim. Në mënyrë të veçantë në tekst i bëhet thirrje Serbisë, e cila është vend kandidat për anëtarësim në BE, që të respektojë vlerat evropiane dhe të përshtatë politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian. Serbia vazhdon të jetë shteti i vetëm në rajon që nuk i ka mbështetur sanksionet ndaj Rusisë.

Gjithashtu, në këtë propozim kërkohet që sa më parë të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës, si dhe përshëndetet nisja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe dhënia e statusit të vendit kandidat për Bosnjë e Hercegovinën.

Prandaj, edhe secili shtet i rajonit duhet të krijojë mekanizma të posaçme për mbrojtje ndaj ndikim rus, i cili shpesh herë është i formave të ndryshme. Më i shpeshti dhe më së shumti që përdoret është ndikimi përmes mediave, pastaj sigurisht edhe përmes ndikimit ekonomik dhe atij politik përmes zgjatimeve të tyre që i kanë pothuajse në secilin shtet. Në Maqedoninë e Veriut si parti politike e cila përkrah fuqishëm orientimin pro lindor dhe është kundër NATO-s dhe BE-së është e Majta e udhëhequr nga, Dimitar Apasiev, i cili hapur dhe publikisht mbështet interesat ruse, madje edhe në kohën kur Maqedonia e Veriut sanksioni Rusinë për invazionin rus, kryetari i kësaj partie u taku me ambasadorin rus në Shkup. /Zhurnal.mk

Të ngjajshme

Të fundit