32.8 C
Skopje
E hënë, 17 Gusht, 2026

Kovaçevski: Zbardhja e vrasjeve të tmerrshme është dëshmi e rëndësisë së bashkëpunimit ndërkombëtar me partnerët

Bashkëpunimi si rajonal ashtu edhe ndërkombëtar, në të gjitha fushat është i rëndësishëm për progres, jo vetëm në ekonomi, tregti dhe investime, por edhe veçanërisht në luftën kundër krimit dhe zbatimit të ligjit, siç ishte treguar edhe gjatë zbardhjes së djeshme të vrasjes së dyfishtë brutale që e tronditën Maqedoninë e Veriut, rajonin si dhe opinionin ndërkombëtar, theksoi sot në Bruksel kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Në fjalim në fillimin e sesionit të fundit nga procesi i skriningut të vendit, Kovaçevski u kthye edhe në rastin me vrasjen e dyfishtë të javës së kaluar, duke theksuar se kjo e tregon vlerën e bashkëpunimit ndërkombëtar të cilën vendi e ka me partnerët e BE-së dhe me vendet e rajonit.

Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, Kovaçevski përkujtoi se sipas dëshmive të cilat policia i mbledh në procedurën parahetuese lidhur me këtë rast, tashmë janë dorëzuar kallëzime penale ndaj pesë personave, nga të cilët njëri dyshohet për rrëmbim dhe vrasje, tre për rrëmbim dhe bashkëpunim në vrasje dhe një për ndihmë në rrëmbim.

“Dje në mbrëmje ministri ynë i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski mori njoftim nga kolegët e Republikës së Turqisë se krijuesi dhe kryerësi direkt i krimit është kapur dhe privuar nga liria në territorin e tyre, sipas njohurive operative të cilat i kishte policia jonë për rrugën e lëvizjes së të dyshuarit  pasi një ditë më parë, më 4 dhjetor të vitit 2023, ishte shpallur urdhër arrest ndërkombëtar nga ana e INTERPOL-it”, theksoi Kovaçevski.

Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për bashkëpunimin e suksesshëm të partneritetit për Turqinë, Serbinë dhe Bullgarinë, nëpër territoret e të cilave ka lëvizur i dyshuari, si dhe në Kroaci, e cila me iniciativën e saj ka kryer një inspektim në territorin e saj dhe ka informuar shërbimet partnere me vendin dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer në kuadër të INTERPOL-it.

“Ky ishte një shembull tjetër i suksesshëm se vetëm me bashkëpunim të ngushtë e të përbashkët mund të presim rezultate të suksesshme në çdo fushë. Ju falënderoj për gjithë bashkëpunimin dhe mbështetjen që ka pasur Maqedonia e Veriut në 32 vitet e fundit, në zhvillimin e saj, në zhvillimin e një shoqërie demokratike, në zhvillimin e ekonomisë, në sigurimin e sigurisë sociale dhe ju siguroj se kjo Qeveri e udhëhequr nga unë do të bëjë gjithçka që kjo rrugë integruese evropiane e Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë dhe së bashku me qytetarët si dhe së bashku me ju në vitin 2030 do ta festojmë anëtarësimin e plotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian”, tha Kovaçevski në fjalimin e tij në fillim të skriningut për  Klasterin 6 për kapitujt “30 – Marrëdhëniet e jashtme” dhe “31 – Politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë”, me mbylljen e të cilit përfundon ky proces dhe negociatat e anëtarësimit të vendit me BE.