21.8 C
Skopje
E mërkurë, 19 Gusht, 2026

Zejdi: Servilizmi ndaj Shkupit, tradhti ndaj interesave kombëtare

Deputeti, Skender Rexhepi Zejdi ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, shkruan POPULLI.mk

SKENDER REXHEPI ZEJDI:

“Kryeministër, edhe kësaj radhe ia keni huq!

Me gjithë respektin për ju si Kryeministër i Kosovës, deklarata juaj e fundit për gjuhën shqipe, e përgatitur dukshëm në “kuzhinën” e qeverisë antishqiptare maqedonase, është dëshmia më e fundit e devijimit nga interesat kombëtare shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Kjo qasje e juaja, e nxitur nga interesa të ngushta politike, shkel mbi sakrificat e mëdha që kanë çuar në avancimin e të drejtave të shqiptarëve në RMV. Në vend që të mbroni interesat kombëtare, po dëshmoni një servilizëm ndaj një qeverie që hapur promovon deshqiptarizimin e vendit.

Një prej pikave më kritike të kësaj agjende është cenimi i Ligjit për Gjuhët, një arritje madhore që mundëson përdorimin e shqipes si gjuhë zyrtare në Kuvend, Qeveri dhe institucione të tjera. Përmes këtij ligji, shqiptarët në RMV kanë fituar të drejtën që gjuha shqipe të jetë pjesë e uniformave, banknotave dhe shumë aspekteve të tjera të jetës publike.

Cenimi i këtij ligji është një sulm i rëndë mbi të arriturat historike të shqiptarëve. Çdo prekje e tij përbën një kthim mbrapa që nuk mund të lejohet.

Kryeministër, nëse nuk e kuptoni rëndësinë e këtij ligji dhe simbolikën e tij për shqiptarët, atëherë deklaratat tuaja nuk janë vetëm amatoreske, por edhe thellësisht të dëmshme për unitetin dhe dinjitetin kombëtar.” / © POPULLI.mk