6.8 C
Skopje
E enjte, 13 Shkurt, 2025

“Nuk ka paqe në Ukrainë pa ne”, paralajmërojnë ministrat e jashtëm evropianë

Ministrat e Jashtëm evropianë paralajmëruan se e ardhmja e Ukrainës duhet të përfshijë Evropën dhe Kievin, pasi u përhap lajmi se presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin kishin rënë dakord të zhvillonin “menjëherë” bisedime paqeje.

Ministrat dhe delegacionet e tyre mbërritën në Paris për një takim mbi Ukrainën përpara Konferencës së Sigurisë në Mynih këtë fundjavë – duke thënë se çdo marrëveshje e ardhshme e paqes do të duhej të negociohej me Ukrainën dhe aleatët e saj evropianë.

Bëhet e ditur se në takim morën pjesë ministrat e jashtëm nga Polonia, Spanja, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Ukraina.

Andriy Sybiha, Ministri i Jashtëm i Ukrainës, tha: “Evropa luan një rol aktiv në sigurimin e një paqeje të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë për Ukrainën. Siguria e Ukrainës dhe siguria evropiane janë të pandashme”.

Evropa duhet të bëjë ‘gjithnjë e më shumë

Ndërkohë, Radoslaw Sikorski, Ministri i Jashtëm polak, tha se Polonia do të “kërkonte në mënyrë të palëkundur mbështetje ushtarake të intensifikuar për Ukrainën”, si dhe presionin e vazhdueshëm përmes sanksioneve ndaj Rusisë, shkruan euronews.

Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit me SHBA-në për të ndihmuar në mbrojtjen e Evropës, por theksoi se vendet në Evropë duhet të bëjnë “gjithnjë e më shumë” për të përmirësuar mbrojtjen e tyre.

“Nuk ka garanci më të mirë për sigurinë e kontinentit tonë sesa bashkëpunimi i ngushtë transatlantik”, tha Sikorski.

“Por Evropa duhet të bëjë gjithnjë e më shumë për mbrojtjen e saj, si për hir të aleancës ashtu edhe për hir të vetvetes”., shtoi ai.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot, pas takimit tha: “Nuk do të ketë paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë pa evropianët.”

Ndryshe, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Putin dhe Trump ranë dakord në një bisedë telefonike për të organizuar një takim dhe se presidenti rus i tha Trumpit se është gati të presë amerikanët në vend.

Gjithashtu të mërkurën, Sekretari i ri i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, përjashtoi kategorikisht mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO si një garanci sigurie për t’i dhënë fund luftës.

Të ngjajshme

Të fundit