-4.2 C
Skopje
E premte, 19 Dhjetor, 2025

Krerët e komunave që pas përfundimit të mandatit nuk e deklaruan pasurinë e tyre do të gjobiten

Të gjithë krerët e komunave që nuk e kanë deklaruar pasurinë e tyre pas përfundimit të funksionit ose pas zgjedhjes së tyre për kryetarë komunash do të gjobiten. Këtë e paralajmëron kreu i Komisionit Antikorrupsion. Nëse edhe përskaj kësaj, krerët komunalë nuk dorëzojnë deklarata, atëherë sipas numrit një të Antikorrupsionit, Çuçul do të iniciohet procedurë për shqyrtimin e gjendjes së tyre financiare.

“Për të gjithë kryetarët e komunave që pas përfundimit të funksionit dhe pas zgjedhjes në funksion nuk kanë deklaruar pasurinë, do të iniciohen procedura të duhura për kundërvajtje dhe nëse edhe përskaj asaj nuk dorëzojnë deklarime për gjendjen pronësore për çka janë të obliguar sipas ligjit, do të iniciohen procedura për shqyrtim të gjendjes së tyre financiare”, tha Adem Cucul, Kryetar i Antikorrupsionit.

Antikorrupsioni publikoi të dhëna ku theksohet se ish kryetarja e Shkupit Danella Arsovska, dhe kryetari aktual, Orce Gjorgjievski, si dhe 33 kryetarë të komunave të tjera nuk kanë deklaruar pasurinë pas përfundimit të mandatit.
Po ashtu edhe 19 krerë të rinj komunash, përfshirë edhe numrin një të Qytetit, nuk e kanë plotësuar këtë obligim ligjor, që duhej të tregonte se me çfarë pasurie fillojnë mandatet, apo grupi tjetër që duhej të tregonte se sa janë pasuruar derisa ishin në këto pozicione.

Nga antikorrupsioni njoftojnë se sipas nenit 82, paragrafi 1 i Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit të gjithë kryetarët e zgjedhur të komunave në zgjedhjet e vitit 2025 kanë obligim, më së voni 30 ditë nga dita e zgjedhjes, të dorëzojnë deklaratën për gjendjen pronësore.

Sipas nenit 82, paragrafi 3 i ligjit të theksuar, pas përfundimit të funksionit kryetar komune, të njëjtit kanë obligim të dorëzojnë deklaratë për gjendjen pronësore.

Sipas ligjit, gjoba e paraparë për mos deklarim të pasurisë, është prej 300-500 euro. / Alsat.mk

Të ngjajshme

Të fundit