Shqipëria ka hapur tashmë të 6 klasterët e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Maqedonia e Veriut është e bllokuar në narrativa mesjetare me qëllim që ta shmangë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kosova ka çështje të pazgjidhura me Serbinë për të filluar me negociatat. Shqipëria me hapa të shpejtë po ec drejt negociatave me Bashkimin Evropian. Vendi po i mobilizon të gjitha burimet me qëllim që t’i përfundojë negociatat sa më shpejt të jetë e mundur. Klasteri 1, i cili është baza për negociatat, hapet i pari dhe mbyllet i fundit në negociatat me Bashkimin Evropian, shkruan Scoop, transmeton Portalb.mk.
“Është shumë e rëndësishme që në procesin e negociatave të marrë pjesë e gjithë shoqëria. Organizatat e qytetare, të rinjtë si kategori janë tejet të rëndësishëm në këtë proces, sepse ata do të përfitojnë më shumë nga Bashkimi Evropian”, thotë Arjan Durmishi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (QSDQ) në Tiranë.
Organizata e tij tashmë për disa vite e ka monitoruar procesin e negociatave në kapitullin më të rëndësishëm, të ashtuquajturën paketë themelore.
Për dallim nga Shqipëria, e cila i ka filluar negociatat me Bashkimin Evropian, Maqedonia e Veriut po mbetet prapa. Arsyeja kryesore është se partia në pushtet nuk ka vullnet për t’i zhbllokuar negociatat.
“Qeveria e Hristijan Mickoskit ka një agjendë anti-evropiane. Nuk dëshiron ta bëjë vendin pjesë të Bashkimit Evropian. Prandaj po shpik justifikime. Maqedonia e Veriut kurrë më parë nuk ka pasur rrugë më të pastër drejt BE-së. Deklaratat e llojit, na jepni garanci se nuk do të na bllokoni më tej, janë një justifikim për ta shmangur fillimin e negociatave. Një kusht joformal për të gjitha vendet nga Evropa Lindore që janë bërë anëtare të Bashkimit Evropian është hapja e arkivave të shërbimeve sekrete të ish-Jugosllavisë”, tha Goran Lefkov, kryetar i SCOOP Macedonia.
Ai shtoi se në kapitujt 23 dhe 24 të Klasterit 1 Maqedonia e Veriut është vlerësuar me notën 1, ose me terminologjinë e Bashkimit Evropian “nuk ka përparim”.
Qemail Marmullakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, është i mendimit se bashkëpunimi i ndërsjellë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor është i nevojshëm për të shkëmbyer përvoja në procesin e negociatave.
“Kosova i ka problemet e veta në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Por institucionet tona duhet t’i ndjekin proceset në rajon, që kur të na jepet mundësia, ta shfrytëzojmë atë maksimalisht”, thotë Marmullakaj.
Ai shton se edhe në Kosovë gjyqësori është një problem shumë i madh. E përderisa gjykatat funksionojnë prokuroria nuk po i jep rezultatet e nevojshme për të cilat është formuar.
Këto pikëpamje u shprehën në debatin i cili u mbajt javën e kaluar në Prishtinë. Debati u organizua nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe është pjesë e projektit “Ndarja e përvojës së negociatave të Shqipërisë në Klasterin 1”, i mbështetur financiarisht nga Fondi i Ballkanit Perëndimor.
Klasteri 1 përfaqëson boshtin themelor të procesit të anëtarësimit, pasi progresi dhe mbyllja e tij kushtëzojnë drejtpërdrejt avancimin në të gjithë klasterat e tjerë. Ky klaster mbulon fushat më politike dhe më të ndjeshme të negociatave, përfshirë shtetin e së drejtës, funksionimin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, sigurinë dhe kontrollin financiar, ndaj vlerësohet nga Komisioni Evropian si determinant për besueshmërinë e procesit në tërësi.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndërkohë, qëndrimi i Qeverisë për ndryshimet kushtetuese mbetet i pandryshuar dhe ato nuk do të ndodhin pa garanci të qarta se procesi i integrimit evropian nuk do të shoqërohet me bllokada dhe kushte të reja dypalëshe.
