Maqedonia e Veriut është shtet i cili nuk i njeh qytetarët e vendit, këtë e ka dëshmuar me zvarritjen e shkaktuar për mos dhënien e shtetësive për një pjesë të qytetarëve, posaçërisht shqiptarëve. Me mijëra qytetarë e pjesa më e madhe prej tyre shqiptarë janë endur institucioneve me vite të tëra duke kërkuar të drejtën e tyre elementare nënshtetësinë. Personat që jetojnë në Maqedoninë e Veriut dhe që nuk kanë shtetësi lirshëm mund kategorizohen si persona të “padukshëm”. Këto qytetarë përballen me probleme në çdo hap që e bëjnë, meqë jetojnë në këtë vend ata shfrytëzohen si taksa pagues por në shkëmbim të këtij shfrytëzimi nuk e marrin trajtimin e duhur: Për fat të mirë një ligj i tillë u votua dhe hyri në fuqi por fatkeqësisht ende po reflekton se është jo i plotë fuqishëm në zbatim, sepse përkundër faktit se ekziston një ligj i tillë paraqiten bllokada të tjera që zvarrisin këtë proces, njëra ndër pengesat kryesore vlerësohet të jetë Agjencia për Siguri Kombëtare, në krye me drejtorin, Viktor Dimoski, drejtori që deshi të bëhej ambasador por që veprimtaria e tij ishte në kundërshtim me dëshirën e tij, dhe nuk u bë. Ndërkaq, qytetarët që po pajisen me shtetësi po e falënderojnë deputeten e ASH-së, Ilire Dauti, për ndihmën e ofruar gjatë procesit të aplikimit, shkruan Zhurnal.
Ligji për shtetësi në fuqi por jo i plotë fuqishëm në zbatim-
Në ndihë të qytetarëve pa shtetësi dolën partitë opozitare atë kohë Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kjo e fundit tani është pjesë e qeverisë. Këto dy parti që ishin në koalicion iniciuan një nismë për ndryshimin e ligjit, mbi bazën e të cilit sigurohet shtetësia në Maqedoninë e Veriut. Një vepër që do të mbahet gjatë kohë në mend nga partitë opozitare të cilat më shumë janë të heshtura e që nuk e marrin mundin për iniciativa të kësaj natyre, që janë të dobishme për shqiptarët.
Përmes këtyre ndryshimeve ligjore, opozita shqiptare ka synuar që të gjithë personat që kanë qenë shtetas të ndonjërit nga shtetet e ish-Federatës Jugosllave, të cilët deri më 8 shtator të vitit 1991 (dita e pavarësisë së Maqedonisë së Veriut), kanë jetuar në territorin e Maqedonisë së Veriut, mund të kërkojnë shtetësinë e Maqedonisë së Veriut, duke marrë deklaratat e tre dëshmitarëve.
Por, edhe pas këtij ndryshim ligji sërish janë vërejtur problematika në zbatimin e ligjit të ri të miratuar në Kuvend, pasi ka qytetarë të shumtë që ende nuk shfrytëzuar këtë të drejtë elementare të tyre, marrjen e shtetësisë.
Sa qytetarë kanë qenë pa shtetësi, dhe cilat janë procedurat për aplikim?
Sa i përket numrit të qytetarëve që nuk kanë shtetësi, ndryshe nga autoritetet shtetërore, që deklaronin se nuk kanë të dhëna, partitë politike opozitare patën thënë se janë rreth 70 mijë qytetarë që janë pa shtetësi, e që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, thoshte diku 2500 qytetarë nuk kanë shtetësi prej tyre numri më i madh rom, ndërkaq i fundit ishte kryeministri Kovaçevski i cili në një konferencë për media pati thënë se janë mbi 20 mijë kërkesa për shtetësi që janë mbajtur në sirtarë e që nuk janë shqyrtuar fare.
Por edhe nëse është edhe vetëm një qytetarë pa shtetësi ndaj tij bëhet padrejtësi, prandaj pavarësisht numrit duhet eliminuar kjo dukuri dëmtuese ku qytetarët në vend të vet në shtëpitë e tyre janë të pa njohur e të padukshëm për shtetin, madje shpesh herë janë cilësuar si të “rrezikshëm”.
Por pas gjithë kësaj torture të përjetuar e përballje me këtë padrejtësi ndër vite, u ngjallën shpresa edhe pse të zbehta sërish qytetarët po shpresojnë që përmes këtij ligji të ri secili prej tyre do të pajiset me shtetësi. Por, nuk është pritur ngjashëm nga bashkëqytetarët maqedonas, ka pasur reagime të shumta e të ashpra ndaj kësaj nisme, ku është etiketuar edhe si “veprim shovinist”.
“Në mënyrë artificiale mundësohet që 70 mijë kosovarë të marrin shtetësinë e Maqedonisë”, pati shkruar Dimitar Apasiev, kryetari i së Majtës. Por, ishte konsistenca e partive politike shqiptare opozitare të cilët shkaktuan bllokadë totale të Kuvendit deri në miratimin e ligjit. Me 57 vota “për” dhe 32 “kundër”, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi Ligjin për Shtetësi.
Sipas ndryshimeve në ligjin për shtetësi, është paraparë që shtetësia të mund të merret me parashtrimin e dokumenteve personale, certifikatë të lindjes, librezë pune, fletë-pronësi, fatura për obligimet komunale, librezë shëndetësore, tatime të paguara si dhe disa dokumente të tjera.
Ata të cilët jetojnë në Maqedoni që para pavarësisë së shtetit, mjaftojnë të dorëzojnë një dokument si dëshmi, qoftë certifikatë të lindjes, dëftesë, dokument për tatim të paguar, letër njoftim ose pasaportë të IRFJ-së, librezë shëndetësore e dokumente të ngjashme. Ligji i ri bën lehtësime edhe për personat që e kërkojnë shtetësinë pas kurorëzimit, të cilët nuk duhet të dorëzojnë si më parë dokument për burim të vazhdueshëm të mjeteve financiare dhe dokument për pronë banimi.
Kujtojmë se, ligji i cili ishte në fuqi, ka qenë në dëm të qytetarëve të cilët kanë pasur problem me pajisje me shtetësi, e të cilët jetojnë në kushte mizore në këtë shtet. Sigurimi shtetëror i ka lënë mijëra njerëz pa shtetësi deri më sot, duke i karakterizuar ata si të rrezikshëm për shtetin, pavarësisht se kanë bërë edhe nga 70 vjet jetë në këtë vend.
