16.8 C
Skopje
E mërkurë, 4 Mars, 2026

A po e planifikon Sela shkarkimin e Taravarit nga pozita e kryetarit të ASH-së !?

Kreu i Kuvendit Qendror të ASH-së, Ziadin Sela, mbrëmë mblodhi në takim kryetarët e degëve të partisë. Këtu nuk ishte kryetari i partisë, Arben Taravari, i cili nuk na u përgjigj se pse, edhe pse i kërkuam përgjigje përmes një porosie. Sela për TV21 tha se qëllimi i takimit ka qenë për të diskutuar aspektet tekniko-organizative.

“Janë diskutuar aspekte tekniko organizative, përgatitje dhe informim në lidhje me mbajtjen e Kuvendit Qendror”, theksoi  Ziadin Sela – kryetar i Kuvendit Qendror të ASH-së.

Një nga kryetarët e degëve, që ka qenë në këtë takim, e që deshi të mos i përmendet emri, i tha TV21 se dyshon se kryetari i partisë nuk ka qenë fare i ftuar.

“Sa e kuptuam mbrëmë, dhe se doli ashtu, po del që kryetari (v.j. Taravari) s’është ftuar hiç në takimin tonë me Selen”, thotë burim i TV21 brenda takimit.

TV21 nga burime brenda takimit mëson një kryetar dege ia ka përmendur Selës se s’është mirë të mblidhen në këtë formë pa kryetarin.

“Madje edhe unë kisha dilemat, sepse askund ne statut nuk thuhet se kryetari kuvendit mundet kryetarët e degëve me i thirrë e kryetarin e partisë jo!”, pohoi burim i TV21 brenda takimit.

Një tjetër burim nga ky takim, që po ashtu nuk pranoi ti përmendet emri, i tha TV21 se mosprania e Taravarit nuk është anashkalim dhe s’po e dinë se çka po ndodh!

“Edhe ai (v.j. Arben Taravari) po shkon vet ne takime ne Prishtinë, Shkup e ku jo tjetër, qe s’e dimë as na, as ju (v.j. media)!”, theksoi burim i TV21 brenda takimit.

TV21 nga burime brenda Aleancës për Shqiptarët mëson se sonte takohen Taravari dhe Sela. Burimi thotë se Taravari duhet të tregojë se çfarë oferte mori në takimin me Kurtin e LEN-in në Prishtinë, dhe prej kujt, ndërsa ofertën Sela duhet ta dërgojë në kryesi të partisë, pas çka pritet të thirret edhe Kuvendi Qendror për vendimin final të partisë, që sipas burimeve tona nuk pritet të mbahet këtë javë.

“S’jemi parti Facebook-u, që gjitha gjërat prej aty t’i marrim vesh. Në Marrëveshjen për koalicion me BDI-në këtë mandat, e përcaktuam edhe koalicion parazgjedhor, e s’po i dalim zot fjalës sonë. E nxjerrim në Kuvend, dhe ta shohim se cila ofertë fiton. U mblodhëm dhe i dhamë përkrahjen kryetarit të Kuvendit, Ziadin Selës, Pse s’ishte aty Taravari, ne nuk e pyetëm Selën, por e kuptuam”, tha tha burim i TV21 brenda takimit.

Takimi Taravari-Sela i paraprin zhvillimeve të fundit në parti, respektivisht takimit të mbrëmjes së djeshme të Selës me kryetarët e degëve të partisë, ku përmes kësaj fotografie, siç sqaron burimi, u tentua të tregohet se këto degë te ASH-se janë në krah të Ziadin Selës. Po a është kjo një përpjekje e Selës për ta rimarrë kryesimin e partisë? Sela mohon! Thotë se nuk u dorëhoq që të rikthehet si kryetar.


“Nuk jam tërhequr për të rrimarë kryesimin e partisë, por natyrisht që kam përgjegjësi për ta mbajtur partinë në linjën ideologjike të saj”, pohoi Ziadin Sela – kryetar i Kuvendit Qendror të ASH-së.

Përndryshe, kryesia qendrore e ASH-së për momentin ka vendim që të garojnë vet në zgjedhje. Por nga ato që janë mësuar deri më tani në rrugë jozyrtare është se kryetari i partisë Arben Taravari dëshiron koalicion me bllokun opozitar shqiptar LEN, gjë që nuk e dëshiron ish-kreu i partisë, tash kryetar i kuvendit qendror të ASH-së, Ziadin Sela, i cili mësohet se është i qëndrimit se në zgjedhje duhet të dilet me Frontin Europian, ku është edhe BDI-ja.

Të ngjajshme

Të fundit