Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, gjatë një takimi me qytetarët në Çair, deklaroi se partia e tij vazhdon të ketë mbështetjen e popullit shqiptar dhe se kauza e BDI-së mbetet e patundur, informon POPULLI.mk.
“Sonte në Shkupin e Vjetër, në mbledhjen me popullin, dëshmuam edhe një herë se populli ynë beson dhe mbështet kauzën tonë. Sallën e mbushën shumë qytetarë dhe jashtë saj, shumë të tjerë, duke treguar besimin që kanë në çdo hap që ne kemi bërë dhe do të bëjmë,” tha Ahmeti.
Ai falënderoi të gjithë të pranishmit, duke vënë theksin te shqetësimet e qytetarëve, veçanërisht largimet nga puna dhe presionet ndaj shqiptarëve në institucione.
Ahmeti theksoi se BDI nuk do të lejojë të cenohet Marrëveshja e Ohrit dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. “Të drejtat i fituam me gjak dhe, siç e dimë, gjaku as nuk thahet e as nuk lahet,” u shpreh ai.
Lideri i BDI-së e quajti fushatën e kundërshtarëve politikë “antishqiptare” dhe tha se ata kanë gabuar rëndë. “BDI nuk ka humbur, por kanë humbur shqiptarët. BDI nuk ka humbur, por kanë humbur proceset. Sa më shumë që BDI po forcohet, aq më shumë po çelikoset,” deklaroi Ahmeti.
Ai siguroi se partia e tij do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e shqiptarëve dhe të mos lejojë që arritjet e deritanishme të zhbëhen. / © POPULLI.mk