10.8 C
Skopje
E premte, 29 Mars, 2024

ASH ka nevojë për mbështetje nga gjitha partitë shqiptare, shansi për largim të 20% është tani!

Aleanca për Shqiptarët po jep shenja jete që është në Qeveri, të qenurit partner koalicioni nuk nënkupton nënshtrim ndaj partnerëve, por bashkëpunim e koordinim për çështje që janë në dobi të shoqërisë. Aktualisht, njëra ndër çështjet e dobishme dhe shumë të rëndësishme për kthim të dinjitetit të popullit shqiptarë është largimi i “20 përqindëshit” nga Kushtetuta, dhe zëvendësimi i së njëjtës me “gjuhë shqipe”. Por, kjo nuk bëhet duke luajtur rolin e “demokratëve progresistë” dhe duke ulur belin që të shkelemi sërish si popull, të tolerojmë e të durojmë sepse duhet të formojmë një front evropian. Po, pikërisht këta evropian po përkrahin popullin bullgar e institucionet bullgare kur ata po kërkojnë të drejtat e tyre elementare. Prandaj, përse shqiptarët nuk po marrin mësim nga bullgarët se për gjërat që meritojnë duhet t’i kërkojnë me ngulm, për të njëjtat duhet të unifikohen sepse në të kundërtën nuk mund as t’i paramendojnë të realizuara nga maqedonasit. Grekët fituan, morën atë që kërkuan, bullgarët janë në prag të marrjes atë që e meritojnë, shqiptarët që janë popull shtetformues në këtë vend duhet të humbasin sërish? Përse shqiptarët sërish duhet të heshtin e të mos kërkojnë që në momentin kur hapet Kushtetuta për futjen e bullgarëve të largohet edhe 20 përqindëshi për gjuhën shqipe? Për fat të mirë, këtë gjë veçse e kanë kapur partia më e re e koalicionit qeveritar, Aleanca për Shqiptarët, konkretisht ministri Drejtësisë, Krenar Lloga, por këto të vetëm nuk mund të arrijnë këtë gjë, prandaj kanë në nevojë për një unifikim mbarë partiak në kampin shqiptarë për të arritur rezultatin e dëshiruar. Tani është momentumi kryesor, nëse nuk bëhet tani nuk do të bëhet asnjëherë, e për tu bërë tani duhet unifikim dhe mbështetje nga të gjitha partitë politike shqiptare, shkruan Zhurnal.

ASH kërkon mbështetje, partitë tjera shqiptare nuk duhet të qëndrojnë duarkryq –

Kërkesa për mbështetje nga ASH i tejkalon kufijtë e interesave partiake sepse kemi të bëjmë me çështje që është më e madhe se partia, rregullimin zyrtar të statusit të gjuhës shqipe në Kushtetutë. Mjaftë më, me poshtërime të tilla që gjuha shqipe të identifikohet me 20%, ka ikur kjo kohë e duhet të ikë edhe ky përkufizim nga Kushtetuta, sepse edhe ashtu për shqiptarët 20% figuron vetëm në Kushtetute askund tjetër. Në regjistrimin e fundit të popullsisë shqiptarët rezultuan me 29%.

Dhe, tani në situatën kur një parti politike cila do qoftë ajo në rastin konkret është Aleanca për Shqiptarët, ka kërkuar mbështetje nga gjitha partitë tjera, e kjo gjë nuk duhet të merret me sportivitet sepse kemi të bëjmë me një momentum që nuk dihet nëse do të kthehet sërish. Tani po hapet Kushtetuta dhe shqiptarët duhet t’i hapin sytë e veshët të koordinohen e bashkëpunojnë që me çdo kusht të largohet edhe përkufizimi gabuar 20 përqindëshi për gjuhën shqipe.

Fundja përse po hapet Kushtetuta, përgjigja është për të drejtat e një pakice që në këtë rast janë bullgarët, e si ka mundësi të hapet për të drejta e mos të eliminohet edhe një padrejtësi e bërë ndër vite për popullin shtetformues shqiptarët.

Partitë tjera shqiptare, duke filluar nga BDI, Lëvizja Besa, dhe Alternativa me çdo kusht duhet të jenë konzistentë dhe në mbështetje të kërkesës së ASH-së që kur të hapet Kushtetuta e vendit të largohet edhe “20 përqindëshi” nga Kushtetuta dhe e njëjta të zëvendësohet “gjuhë shqipe”. Sepse, fundja kemi të bëjmë me një popull të pastër me gjuhë të pasur, që as etniteti e as gjuha, pra asnjë element identifikues nuk është i cenueshëm e i diskutueshëm nga ndonjë popull tjetër, Pra, kemi të bëjmë me popullin me identitet të vulosur dhe të pa kontestuar.

Taravari: Erdhi momenti i heqjes së 20%, partitë kanë rastin të bëjnë historinë –

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, është shprehur se heqja e 20% nga Kushtetuta dhe në vend të kësaj përqindje të qëndrojë “gjuha shqipe”, duhet të ndodh tani, me ndryshimet Kushtetuese te cilat parashohin futjen e bullgarëve si komunitet që jeton në Maqedoninë e Veriut.

“Aleanca për Shqiptarët është e lumtur që tashmë erdhi momenti kur partitë politike në Maqedoninë e Veriut do të mund të shprehin pajtimin e tyre që gjuha shqipe të emërtohet si e tillë dhe mos të quhet më gabimisht “20%“. Propozojmë që ky ndryshim të ndodhë tani dhe jemi të bindur, jo vetëm në pajtimin e partive shqiptare, por edhe me dakordësinë e të gjitha partive në Maqedoninë e Veriut. Të gjitha partitë që do të marrin pjesë në këtë ndryshim do të shkruhen në histori si parti demokrate e veçanërisht evropiane. Sidomos z. Kovaçeski dhe z. Mickovski do të bëhen pjesë e këtij momenti të rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët që jetojnë në këtë vend, por edhe për të ardhmen evropiane të shtetit tonë të përbashkët. Presim me padurim momentin e shpalljes zyrtare të këtij premtimi mbarë partiak” ka deklaruar Taravari.

VMRO, LSDM, Bujar Osmani janë shprehur kundër largimit të 20 përqindëshit për shqiptarët nga Kushtetuta –

VMRO DPMNE-ja nuk do të mbështesë heqjen e 20 përqindëshit nga Kushtetuta dhe zëvendësimin e tij me termin gjuha shqipe. Nënkryetari VMRO DPMNE-së Timço Mucunski, në Programin 200 në Alsat tha se janë të hapur të diskutojnë për implementimin e modelit kroat në preambulën e kushtetutës, por jo për zgjidhje që siç tha ai imponojnë binacionalizëm.

Nga ana tjetër, në mënyrë indirekte janë shprehur kundër kësaj nisme edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Të cilët thonë se prioritet lidhur me Kushtetutën është përmbushja e obligimit nga korniza negociuese e miratuar nga 27 vende-anëtare të Bashkimit Evropian në pjesën e amendamenteve kushtetuese për përfshirje të pjesëve të tjera të popujve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së veriut, si dhe se nuk ka kurrfarë marrëveshje dhe as që është biseduar për çfarëdo lloj intervenimi tjetër në Kushtetutë.

Kujtojmë që, shqiptarët janë pro ndryshimeve Kushtetuese dhe janë populli më pro evropian në rajon, prandaj nuk ka kuptim logjik të neglizhohet largimi 20 përqindëshit nga Kushtetuta për të mos penguar rrugëtimin evropian. Kaq e thjesht dhe e lehtë shqiptarët nuk po kërkojnë federalizëm apo ndarje shteti, po kërkojnë vetëm atë që e meritojnë t’i kthehet dinjiteti dhe mos të identifikohen me përqindje. Kjo gjë duhet të ndodhë tani, duhet të shfrytëzohet momentumi i hapjes së Kushtetutës pikërisht për të drejta të bullgarëve, përse mos të përfitojnë edhe shqiptarët? Prandaj, duhet unifikim dhe mbështetje e kërkesës së ASH-së nga gjitha partitë politike shqiptare. /Zhurnal.mk

Të ngjajshme

Të fundit