Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se në Çair po vazhdon ndërtimi i objekteve të banimit në rrethana shumë të dyshimta. Sipas tyre, këto ndërtime po bëhen me tolerim të institucioneve komunale. BDI-Çair njofton se do të identifikojnë çdo parcelë dhe çdo hapësire publike ku tentohen ndërtime të paligjshme.
“Kjo situatë nuk mund të vazhdojë. Sot i bëjmë thirrje publike Komunës së Çairit: Të ndalojë menjëherë çdo tolerim ndaj ndërtimeve të paligjshme dhe çdo marrëveshje që lejon uzurpimin e hapësirave publike. Institucionet ndëshkuese kanë detyrim ligjor të veprojnë. Nëse nuk veprojnë, përgjegjësia do jetë e tyre. Nga sot, BDI – Çair do të fillojë identifikimin e çdo parcele dhe çdo hapësire publike ku tentohen ndërtime të paligjshme. Çdo rast do të bëhet publik. Çdo rast do të denoncohet para institucioneve kompetente. Qytetarët e Çairit kanë të drejtë të mbrojnë hapësirën e tyre dhe cilësinë e jetës së tyre. Kjo është një thirrje e fundit që institucionet të veprojnë”, thonë nga BDI.
