16.8 C
Skopje
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Biden: Demokracia amerikane është nën sulm, për të gjitha është faji i Trumpit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, deklaroi se demokracia amerikane u sulmua në një kohë kur ish-presidenti Donald Trump nuk donte të njihte rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe se një skenar i ngjashëm është duke u përgatitur edhe për zgjedhjet parlamentare të martën.

Biden u tha të gjithë votuesve që të ushtrojnë të drejtën e tyre javën e ardhshme dhe “të përballen me gënjeshtrat, dhunën dhe përçarësit e rrezikshëm të zgjedhjeve që përpiqen të kenë sukses aty ku dështuan më 2020”.

“Kjo nuk është koha për të qëndruar mënjanë. Heshtja është bashkëpunim”, shtoi ai.

Pas javësh bisedimesh për ekonominë amerikane dhe inflacionin, Bideni u drejtua me një mesazh politik, duke thënë se sistemi i qeverisjes së vendit kërcënohet nga gënjeshtrat e ish-presidentit Trump.

Biden ka thënë se Trumpi refuzon të pranojë vullnetin e popullit dhe faktin që ai humbi.

“Ai shpërdoroi pushtetin e tij dhe vuri besnikërinë ndaj vetes para besnikërisë ndaj Kushtetutës”, deklaroi ai.

Presidenti, duke folur në një ngjarje të Komitetit Kombëtar Demokratik pranë Capitolit, paralajmëroi publikun se vendi është në një udhëkryq në zgjedhjet e javës së ardhshme që mund të shkundë demokracinë.

Bideni potencoi gjithashtu se kërcënimet e disa republikanëve se nuk do të pranojnë rezultatet e zgjedhjeve, nëse humbasin, paraqesin kërcënim për demokracinë dhe për gjithçka fajësoi Trumpin për veprimet e tij të dy vjetëve më parë.

“Kjo forcë lëvizëse po përpiqet të ketë sukses aty ku dështuan më 2020 për të mbytur të drejtat e votuesve dhe për të rrëzuar vetë sistemin zgjedhor. Kjo është rruga drejt kaosit në Amerikë. Është e paprecedentë, është e paligjshme dhe është joamerikane”, theksoi ai.

Presidenti amerikan u kërkoi votuesve “të mendojnë gjatë dhe mirë për momentin në të cilin gjenden Shtetet e Bashkuara”.

“Në një vit të zakonshëm, ne nuk përballemi shpesh me pyetjen nëse vota që hedhim do ta ruajë demokracinë apo do ta kërcënojë atë. Por këtë vit – po”, ka thënë ai.

“Shpresoj se ju do ta bëni të ardhmen e demokracisë sonë një pjesë të rëndësishme të vendimit tuaj për të votuar dhe mënyrën se si votoni”, shtoi Biden, duke u kërkuar amerikanëve të konsiderojnë nëse kandidatët që ata mbështesin do të respektojnë vullnetin e popullit dhe do të pranojnë rezultatin zgjedhor.

Shumë amerikanë mbeten pesimistë për gjendjen e demokracisë amerikane. Një sondazh i tetorit nga Qendra për Kërkime për Çështjet Publike të AP-NORC zbuloi se vetëm 9 për qind e të rriturve mendojnë se demokracia po funksionon “jashtëzakonisht” ose “shumë mirë”, ndërsa 52 për qind thonë se nuk po funksionon mirë.

Të ngjajshme

Të fundit