16.8 C
Skopje
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Blinken me kritika të ashpra për Izraelin

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken ka bërë të dielën disa nga kritikat më të forta publike të administratës së Joe Biden për sjelljen e Izraelit në luftën në Gaza.

Sipas mediave të huaja, ai theksoi se taktikat izraelite kanë nënkuptuar “një humbje të tmerrshme të jetës së civilëve të pafajshëm”, por nuk kanë arritur të neutralizojnë liderët dhe luftëtarët e Hamasit dhe mund të nxisin një kryengritje të vazhdueshme.

Në dy intervista, Blinken nënvizoi se Shtetet e Bashkuara besojnë se forcat izraelite duhet “të dalin nga Gaza”, por gjithashtu po pret të shohë plane të besueshme nga Izraeli për sigurinë dhe qeverisjen në territor pas luftës.

Hamasi është rishfaqur në pjesë të Gazës, tha Blinken, dhe se “aksioni i rëndë” i forcave izraelite në qytetin jugor të Rafah rrezikon ta lërë aleatin më të afërt të Amerikës në Lindjen e Mesme “përgjegjës për një kryengritje të vazhdueshme”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë punuar me vendet arabe dhe të tjera për javë të tëra në zhvillimin e “planeve të besueshme për sigurinë, për qeverisjen, për rindërtimin” në Gaza, por “ne nuk e kemi parë që të vijë nga Izraeli. …Duhet ta shohim edhe këtë”.

Blinken tha gjithashtu se ndërsa Izraeli shkon më thellë në jug të Rafah, ku sipas tij, Hamasi ka katër batalione dhe ku janë grumbulluar më shumë se 1 milion civilë, një operacion ushtarak mund të “ketë njëfarë suksesi fillestar”, por rrezikon “dëm të tmerrshëm” për popullatën.

Kujtojmë se tensionet nisën më 7 tetor pas një sulmi kundër Izraelit nga Hamasi që vrau 1200 njerëz, kryesisht civilë, ndërsa rreth 250 persona u morën peng.

Ofensiva e Izraelit ka vrarë më shumë se 35,000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

 

Burimi / Top Channel

Të ngjajshme

Të fundit