Zv.Kryeministri i parë, Izet Mexhiti sot ka mirëpritur në zyren e tij mysafirë nga Turqia, informon POPULLI.mk
IZET MEXHITI:
“Shqiptarët që janë shpërngulur drejt Turqisë kanë ruajtur gjithmonë në zemër gjurmët e vendlindjes, dhe kjo dashuri e përjetshme për atdheun, për gjuhën, kulturën dhe traditat tona i ka mbajtur të bashkuar, pavarësisht largësisë.
Pata nderin dhe kënaqësinë të mirëprisja në një takim përfaqësuesit e Ansamblit Shqiptar “Inegöl Rumeli” nga qyteti i Bursës, në Turqi. Ky ansambël, i themeluar që në vitin 1974 nga shqiptarët e Maqedonisë që emigruan gjatë viteve ’50 dhe ’60, është një pasqyrë e gjallë e shpirtit shqiptar, që përmes këngës dhe valles ruan me fanatizëm kulturën tonë të pasur. Ata, me krenari e dashuri, kanë ndërtuar një urë lidhëse të përhershme mes brezave që jetojnë në Turqi dhe trungut të tyre, vendit prej ku kanë prejardhjen.
Gjatë këtij takimi të ngrohtë, pata kënaqësinë t’i shpreh mirënjohjen time kryetarit të Ansamblit, z. Serkan Ay, dhe nënkryetarit të komunës Inegöl, z. Ayhan Gülec, për përkushtimin e tyre në ruajtjen e vlerave tona kombëtare dhe për punën e vyer që bëjnë për të mbajtur gjallë frymën shqiptare në mesin e vëllezërve dhe motrave tona atje. Ata kujdesen që shqiptarët e Turqisë të mos harrojnë kurrë se nga vijnë, duke kultivuar tek të rinjtë dashurinë për vendin e të parëve.
Me zemër plot falënderime për vizitën që më bënë në Shkup, shpreh mbështetjen time për aktivitetet që ky ansambël do të zhvillojë në ditët në vijim në vendin tonë.
Mirë se erdhët në Shkup, në shtëpinë tuaj!!”