13.8 C
Skopje
E premte, 19 Prill, 2024

Importi i punëtorëve nuk është zgjidhje, ata mund ta shfrytëzojnë RMV-në si “trampolinë” për të përfunduar në Evropë!

Maqedonia e Veriut është me një situatë të palakmueshme, që në mënyrë kontinuale ka dëbuar qytetarët e vendit duke mos i përfillur dhe duke diskriminuar në çdo rrafsh, pa menduar asnjëherë pasojat e këtij dëbimi. Numër masiv i qytetarëve shqiptarë, posaçërisht të rijnë kanë lëshuar vendin ku nga stacionet e autobusëve shpesh janë deklaruar se vendi po na dëbon duke mos na ofruar kushte për të jetuar. Dhe, në vazhdimësi është folur për ikjen e të rinjve por asnjëherë nuk u morën masa për të parandaluar këtë ikje. Në këtë formë vendi tani është në krizë të fuqisë punëtore, me çfarë flitet tani janë krijuar nevojat për import të fuqisë së huaj punëtore nga vendet e Afrikës, Azisë, Indisë e të tjera. Kjo është përgjigja më e mirë e heshtjes së politikbërësit kur të rinjtë e vendit kërkonin ndihmë ata anashkaloheshin dhe nuk përfilleshin fare, tani të kërkojnë punëtorë të huaj sepse nuk ua ditën vlerën punëtorëve vendas. Mes tjerash të gjithë qytetarët që kanë migruar në Perëndim nga Maqedonia e Veriut atje janë të punësuar dhe stabilizuar, gjë që dëshmon se të gjithë kanë dashur punë dhe janë të aftë të punojnë. Por, ajo që nevojitej si sensibilizim dhe krijim i kushteve të duhura për të jetuar, këtë nuk e bënë institucionet e vendit. Punëtorët e importuar nuk shihen si garancë, sepse po të njëjtit po sa të fitojnë të drejtat e tyre mund ta shfrytëzojnë Maqedoninë e Veriut si “trampolinë” për të përfunduar në vendet evropiane, shkruan Zhurnal.

Deanovski: Pas një apo dy muajve edhe ata që vijnë për të punuar këtu do të largohen në vendet e BE-së

Nuk ka pritshmëri të mëdha nga paralajmërimet e zv.kryeministrit Fatmir Bytyqi se mungesa e punëtorëve në Maqedoni do të mbulohet përmes importit të fuqisë punëtore nga vendet tjera. Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të AOGJSH, Tërpe Deanoski, në intervistën javore për REL, thotë se kjo është vetëm ndihmesë për punëtorët nga Bangladeshi ose Pakistani që përmes vendit tonë të shkojnë në vendet e BE-së.

“Mendoj se për një muaj mundet, megjithatë kur do të vijnë ato punëtorë nga vendet e huaja, ngado që të vijnë, kishte një të dhënë se nga Bangladeshi, Pakistani, do të qëndrojnë në vendin tonë për një muaj më pas do tu hapet dera për të shkuar në vendet perëndimore ku gjithashtu ka nevojë të madhe për punëtorë si dhe ka paga më të larta. Është e trishtueshme të thuhet se edhe pse kemi paralajmëruar gjatë gjithë vitit të kaluar dhe disa vite më parë se kemi nevojë për punëtorë në çdo sektor, veçanërisht në sektorin e ndërtimit, hotelerisë dhe turizmi, shteti flinte.”- tha Tërpe Deanoski, kryetar i sindikatës së punëtorëve të AOGJSH-së.

Zv.kryeministri Fatmir Bytyqi, gjatë kësaj jave deklaroi se shumë kompani ankohen se vështirë gjejnë fuqi punëtore dhe se mungesa është rreth 10 mijë punëtorë. Zgjidhjen, siç tha ai, e sheh në importimin e punëtorëve nga vendet ku paga mesatare është 200 euro.

“Sigurisht që largohen për paga më të larta mesatare, paga mesatare te ne arrin 550 euro, ndërsa paga për të cilën shkojnë të punojnë është 1100 euro, ndërsa vendet prej të cilave vijnë punëtorët e minierave si dhe të ndërtimtarisë marrin mesatare prej 200 eurove, kështu që është cikël natyror i lëvizjes së fuqisë punëtore për më mirë.”- tha Fatmir Bytyqi, zv.kryeministër për Çështje Ekonomike.

Qeveria tani për tani është në bisedime me Odat Ekonomike nga cilat sektorë të sjellë punëtorë. Më të rrezikuarit janë ndërtimtaria, si dhe hoteleria dhe turizmi, sektorë nga të cilët shumica e punëtorëve tanë shkojnë jo vetëm si punëtorë sezonal, por edhe qëndrojnë në vendet e Bashkimit Evropian ku ka paga shumë më të larta dhe kushte më të mira pune.

Dëbojnë qytetarët e tyre pastaj kërkojnë punëtorë të huaj

Ky është përkufizimi më i saktë i gjendjes reale katastrfoale në Maqedoninë e Veriut për sa i përket zhvillimit ekonomik, dhe stabilitetit të fuqisë punëtore në vend. Sikurse politikbërësit ta kishin menduar e parashikuar në kohë këtë situatë të që mund të vjen si pasojë e mos brengosjes së tyre, kjo situatë nuk do të kishte ardhur, dhe vendi do të kishte fuqi punëtore të mjaftueshme.

Mungesa e hartimit të politikave të mirëfillta për të joshur të rinjtë me tregun e punës në vend ka detyruar të rinjtë të kërkojnë këtë mundësi larg vendit të tyre. Por, nuk është vetëm çështja e punësimit, janë edhe shumë shkaqe të tjera pse të rinjtë braktisin vendit si mungesa e meritokracisë, partizimi i skajshëm i secilit insitutcion, mungesa e drejtësisë, diskriminim në çdo rrafshe, e të tjera.

Megjithatë, në asnjë formë nuk duhet lejuar që politikanë të justifikohen me atë që të rinjtë po e lëshojnë vendin dhe migrimi është trend. Sepse, në vendin tonë qytetarët që migrojnë janë kryesisht shqiptarët dhe kjo u dëshmua edhe në rezultatet e fundit të regjistrimit të popullsisë, që numri më i madh shqiptarëve jetonin në diasporë. E kjo krejt si pasojë e diskriminimit në vazhdimësi të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. E tani kur nuk ia dinë vlerën qytetarëve të tyre të presin e të kërkojnë fuqi punëtore të huaj, përndryshe këto qytetarë që e kanë lënë vendin po punojnë në vendet ku kanë migruar pa ndalë, gjë që dëshmon se kemi të bëjmë me fuqi punëtore shumë produktive ka humbur vendi ynë. /Zhurnal.mk

 

Të ngjajshme

Të fundit