Nga Mohammad Reza Farzanegan
Për vite me radhë, ithtarët e intervencionizmit në Perëndim kanë mbrojtur idenë se kostot afatgjata të rendit politik në Iran – si shtypja, rrënimi ekonomik dhe stagnimi social – i tejkalonin rreziqet që mbart një ndryshim i dhunshëm i regjimit përmes ndërhyrjes së jashtme. Muajin e kaluar, “barriera morale” ndaj ndërhyrjes u ul ndjeshëm, e nxitur nga shtypja e përgjakshme e protestave të janarit dhe mbulimi i gjerë pozitiv që opozita iraniane mori në mediat perëndimore.
Ndërhyrja SHBA-Izrael pasoi menjëherë, ku si Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ashtu edhe Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u bënë thirrje iranianëve të “ngrihen në këmbë”. Vrasja e Ajatollah Ali Khamenei-t dhe zyrtarëve të tjerë të lartë iranianë u festua si një arritje historike.
Megjithatë, supozimi se eliminimi i një figure qendrore do të sjellë një “shkëputje të shpejtë e vendimtare”, pasuar nga një tranzicion i qetë, është tejet i pasigurt. Në fakt, Irani pas Khamenei-t mund të mos ngjajë aspak me atë që shpresojnë projektuesit e ndërhyrjes.
Kur ndryshimi i regjimit dështon
Lindja e Mesme ofron tre shembuj të fundit që tregojnë se pse ndërhyrja e jashtme vështirë se sjell stabilitet. Afganistani, Iraku dhe Libia dëshmojnë se operacionet ushtarake të huaja nuk pasohen nga stabilizimi i shpejtë, por nga kaosi. Kjo pasqyrohet qartë në vlerësimet e këtyre vendeve në Treguesit e Qeverisjes Botërore të Bankës Botërore.
Afganistani përjetoi ndryshim regjimi në vitin 2001 pas pushtimit amerikan; kjo hapi rrugën për dy dekada luftime dhe sulme ndaj civilëve. Në vitin 2021, vendi pa rikthimin e regjimit të dëbuar, por stabiliteti mbetet ende i paarritshëm.
Iraku u përfshi nga kryengritjet dhe lufta civile pas pushtimit të vitit 2003; pavarësisht përpjekjeve për demokratizim, vendi ende nuk ka arritur të kthehet në nivelet e stabilitetit të para vitit 2003.
Libia, pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 2011, pësoi një kolaps total, duke rënë në nivelet më të ulëta globale të stabilitetit, pa asnjë shenjë rimëkëmbjeje. Vendi mbetet i ndarë mes dy qendrave rivale të qeverisjes – në Tripoli dhe Bengazi.
Asnjë prej këtyre vendeve nuk e ka rifituar qëndrueshmërinë e mëparshme. Rrugëtimi i tyre është shënuar nga brishtësia dhe pasiguritë afatgjata, dhe jo nga “përshtatja e shpejtë” që premtonin ithtarët e ndërhyrjes.
Një ndryshim regjimi që mund të mos ndodhë
Regjimi iranian ndryshon rrënjësisht nga ata që u shembën në Afganistan, Irak dhe Libi. Vrasja e liderit suprem, Ajatollah Khamenei, mund të ketë një efekt të thellë, por që nuk çon domosdoshmërisht në kolapsin e shtetit.
Në botëkuptimin simbolik të Islamit shiit, vdekja e Khamenei-t mund të interpretohet si përmbushja e një skenari martirizimi. Vdekja në duart e atyre që shihen si armiq të Islamit kornizohet si një kalim shëlbues dhe jo si disfatë. Ndryshe nga sundimtarët e tjerë të Lindjes së Mesme që u përmbysën apo u vranë në turp, ky fund shihet si një mbyllje e idealizuar: sakralizimi i jetës politike përmes vdekjes flijuese.
Kjo narrativë martirizimi ka potencialin të bashkojë një pjesë të madhe të popullsisë rreth idesë së mbrojtjes kombëtare, përfshirë edhe ata që më parë ishin kritikë ndaj udhëheqjes. Duke e shndërruar liderin e rënë në martir të “agresionit të huaj”, shteti mund të nxisë një kohezion nacionalist dhe një urrejtje të thellë ndaj ndërhyrjes së jashtme. Kjo mund të unifikojë forcat e sigurisë dhe shtresat tradicionaliste në një mënyrë që gjeopolitikët perëndimorë nuk e kishin parashikuar.
Edhe pse kjo duket më e vështirë sot pas protestave të fundit, krahasuar me përplasjen me Izraelin në qershor 2025, mbetet sërish një mundësi reale. Përvoja e vendeve fqinje tregon se mungesa e institucioneve funksionale burokratike dhe sigurisë gjatë ndërhyrjes çon në kaos të stërzgjatur.
Për Iranin, sfida kryesore mbetet ruajtja e kohezionit administrativ dhe integritetit territorial. Kjo varet nga mbijetesa e “shtetit të thellë”—asaj burokracie civile dhe klase teknokrate që mban në këmbë financat dhe shërbimet jetike. Nëse institucionet qendrore vazhdojnë punën, shteti mund të shmangë shpërbërjen totale. Gjithashtu, integriteti i vendit varet nga uniteti midis ushtrisë së rregullt (Artesh) dhe Gardës Revolucionare (IRGC).
Gjetja e një figure “unifikuese” do të jetë tejet e vështirë. Shtypja e protestave të janarit ka krijuar një hendek të madh mes popullit dhe elitës, duke ua bërë të pamundur figurave të establishmentit të gëzojnë legjitimitet të gjerë. Edhe nëse një “këshill teknokratiko-ushtarak” i udhëhequr nga figura si Mohammad Bagher Ghalibaf, Hassan Rouhani apo Ali Larijani tenton të marrë frenat, atyre do t’u mungojë autoriteti shpirtëror që kishte lideri suprem.
Paqëndrueshmëria pas vrasjes së Khamenei-t
Nëse institucionet dështojnë ose nëse ushtria dhe IRGC hyjnë në konflikt me njëra-tjetrën, rreziku i fragmentimit rritet ndjeshëm. Në këtë rast, shpërbërja e dhunshme që kërkohet sot mund të jetë fillimi i një cikli pasigurie ku koston më të lartë do ta paguajë shoqëria iraniane.
Dy janë faktorët që mund të përcaktojnë këtë fund:
Së pari, rrënimi i klasës së mesme. Sanksionet shumëvjeçare kanë goditur pikërisht atë shtresë që shërben si stabilizues gjatë tranzicioneve. Pa një klasë të mesme të fortë, vakumi politik mund të mbushet nga grupe të armatosura ose elementë radikalë të regjimit të vjetër (ancien régime). Këto grupe (IRGC dhe Basij), që e shohin rendin e ri si kërcënim për jetën e tyre, nuk do të dorëzohen lehtë, por mund të kthehen në grupe kryengritëse që sabotojnë çdo përpjekje për tranzicion.
Së dyti, fragmentimi social. Irani ka një diversitet të madh etnik dhe gjuhësor. Pa një autoritet qendror, zonat kufitare me popullsi baluçe, kurde dhe arabe mund të përfshihen nga konflikte separatiste. Në qytetet e mëdha, milicitë mund të përplasen për burime, ndërsa elitat politike do të përfshiheshin në një luftë të përgjakshme për pasimin e pushtetit.
Së fundmi, shprehja “më mirë një fund i hidhur se një hidhërim pa fund” po përdoret për të arsyetuar luftën. Por, siç tregon historia, lufta nuk është një proces linear; ajo është katalizator i një degradimi të paparashikueshëm. Vdekja e Khamenei-t mund të jetë fundi i një ere, por për iranianët, ky “fund i hidhur” mund të mos jetë akti i fundit i vuajtjeve, por fillimi i një epoke të re “hidhërimi pa fund” që do të rëndojë mbi rajonin për dekada me radhë.
Mohammad Reza Farzanegan është Profesor i Ekonomisë së Lindjes së Mesme në Philipps-Universität Marburg, Gjermani.
