16.8 C
Skopje
E shtunë, 27 Korrik, 2024

KFOR-i largohet edhe nga objekti i Komunës së Zveçanit

Misioni i NATO-s në Kosovë ka vendosur t’i largojë trupat e tij nga objekti i Komunës së Zveçanit, meqë e ka vlerësuar situatën si të stabilizuar. Kryetari i kësaj komune, Ilir Peci, ka thënë se në përputhje me vlerësimet e sigurisë do të rikthehen edhe shërbimet komunale në këtë objekt. Më herët, KFOR-i është tërhequr edhe nga objektet e komunave të Zubin-Potokut dhe Leposaviqit

Para objektit ku më 29 maj 2023, serbët lënduan rreth 100 ushtarë të KFOR-it, të dielën janë hequr telat me gjemba.

Telat dhe barriera të tjera ishin vendosur për të mbrojtur objektin e Komunës së Zveçanit, ku ishte vendosur edhe kryetari i zgjedhur, Ilir Peci.

Misioni i NATO-s në Kosovë ka njoftuar se largimi i telave gjembor dhe i vetë trupave është bërë pas ndryshimit të vlerësimit të sigurisë për objektin e komunal.

“Situata në Komunën e Zveçanit është stabilizuar. Si rezultat, njësitet nga Batalioni i Forcave Rezervë Operacionale të misionit KFOR më nuk do të jenë prezentë në ndërtesën e Komunës. Por do të mbesin në zonë dhe do të kryejnë patrullime të rregullta për të siguruar një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Komunën e Zveçanit”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Para një muaji KOHA ka raportuar se nga Komuna e Leposaviqit janë larguar si forcat e KFOR-it ashtu edhe telat me gjemba në këtë komunë.
Udhëheqësi i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë për KOHËN se pavarësisht se trupat e KFOR-it janë tërhequr, Policia vazhdon të jetë prezente në objekt.

“Nuk është stacion policor. Policë ka dhe gjatë gjithë kohës ka pasur policë në të tria komunat. Siç e dini, të tri komunat kanë qenë me pjesëtarë të KFOR-it, më herët nga dy prej tyre janë larguar dhe tash kanë dalë edhe nga Komuna e Zveçanit. Në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut nuk ka pasur asnjëherë probleme, andaj nuk qe vendosur KFOR-i”, ka thënë Elshani.

Në objektet e Komunës së Zveçanit dhe atë të Zubin-Potokut nuk jepen shërbime për qytetarët, meqë ato janë të shpërndara nëpër stacione policore dhe në objekte të administratës komunale në fshatrat shqiptare.

Kryetari i Zveçanit, Peci, ka thënë se synon që ta vërë në shfrytëzim të dhënies së shërbimeve për qytetarët e kësaj komune objektin kryesor të Komunës.

Sipas tij, në përputhje me situatën e sigurisë do të vendoset për transferimin e zyrtarëve komunalë në këtë objekt.

“Do ta shohim, besoj se në ditët në vijim do të shkojmë. Fillimisht synoj t’i dërgoj një pjesë të zyrtarëve dhe pastaj ta shohim. Por besoj se brenda momentit si të fillojë, sapo ta dërgoj një pjesë të zyrtarëve për një afat shumë të shkurtër do të jemi të gjithë”, ka thënë kryetari Peci.

Ndonëse është vlerësuar se nuk ka nevojë më për pjesëtarë të KFOR-it në dhe përreth objekteve komunale, numri i ushtarëve është shtuar për afro 1.000 që nga sulmi terrorist i një grupi serbësh në Banjskë, më 24 shtator 2023 dhe janë trefishuar patrullimet.

Të ngjajshme

Të fundit