10.8 C
Skopje
E premte, 19 Prill, 2024

Kovaçevski për vizitë zyrtare në Beograd, do të thellohet bashkëpunimi në miniera, energjetikë dhe transport

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot në Beograd në suaza të vizitës zyrtare në Serbi do të ketë biseda me kryeministren Ana Bërnabiq, presidentin e vendit Aleksandar Vuçiq dhe me kryetarin e Kuvendit Popullor Vlladimir Orliq. Para takimit me kryeministren Bërnabiq do të nënshkruhen memorandume për bashkëpunim në suaza të nismës Ballkani i Hapur.

Kovaçevski e udhëheq delegacionin në të cilin janë ministrat e Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikollovski, i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski, si dhe zëvendësministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike Aleksandar Bajdevski.

Kovaçevski do të pritet me nderime më të larta shtetore dhe ushtarake, pas së cilës do të ketë takim tet-a-tet me kryeren e Qeverisë së Serbisë, Ana Bërnabiq.

Të dy delegacionet qeveritare, të udhëhequra nga kryeministrat do të mbajnë takim plenar të përbashkët, në të cilën do të bisedohet për tema nga interesi i qytetarëve të të dy vendeve, si dhe për thellimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve. Pas takimit plenar, është parashikuar nënshkrimi i memorandumeve për bashkëpunim në suaza të nismës Ballkani i Hapur, pas së cilës do të vijojë konferencë e përbashkët për shtyp e dy kryeministrave, Kovaçevski dhe Bërnabiq.

Do të nënshkruhen memorandume për mirëkuptim ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Serbisë, për masat e përmirësimit të qarkullimit të personave dhe mallrave përmes kufirit të përbashkët shtetëror, Memorandum për mirëkuptim – projekt për pagesë elektronike të pagesave rrugore – vendosja e sistemit elektronik të ndërveprueshëm për pagesë rrugore dhe Memorandum për bashkëpunim në miniera dhe energjetikë.

Të ngjajshme

Të fundit