34.7 C
Skopje
E enjte, 6 Gusht, 2026

Kurti: Me LDK-në po komunikojmë drejtpërdrejt, pa ndërmjetësues

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se komunikimi me Lidhjen Demokratike të Kosovës po zhvillohet drejtpërdrejt dhe se mes tij dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk ka asnjë ndërmjetësues.

Në një konferencë për media, të mbajtur pas ndërprerjes së seancës konstituive, Kurti tha se sa më shpejt të arrihet përparim, aq më mirë, ndonëse theksoi se bëhet fjalë për çështje që nuk janë të thjeshta.

Sipas tij, përvoja e krijuar gjatë këtyre 16 muajve tregon se duhet bërë çdo përpjekje dhe duhet “lëvizur çdo guralec” për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Kurti vlerësoi se serioziteti dhe përgjegjësia politike e institucionale aktualisht nënkuptojnë evitimin e një procesi tjetër zgjedhor të panevojshëm.

Kurti bëri të ditur gjithashtu se drejtuesit dhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë kërkuar që me VV-në të arrihet marrëveshje për të gjitha pozitat.

Ai rikujtoi se në pranverën e këtij viti ishte kritikuar për zgjedhjen e kryetarit dhe të kryesisë së Kuvendit, si dhe të qeverisë, pa zhvilluar më parë takime me përfaqësuesit e LDK-së. Këtë herë, sipas tij, është reflektuar ndaj atyre kritikave dhe është vepruar ndryshe, duke mos konstituuar asnjë institucion pa u zhvilluar takime.

Kryeministri në detyrë shpjegoi se nxitimi i treguar në fillim të këtij viti lidhej me çështjen e buxhetit të Kosovës. Ai shtoi se i ka mbajtur shënim të gjitha vërejtjet e bëra gjatë vitit dhe se tani po i merr ato parasysh.

Kurti theksoi se vazhdon të jetë vetë nismëtari i çdo takimi, pasi synon bashkëpunimin dhe për këtë arsye ndërmerr iniciativa e mban komunikimin të hapur. Ai shtoi se lajme të reja mund të ketë vetëm pasi të arrihet një marrëveshje, raporton KosovaPress.